Komuna e Prizrenit dhe “Jetimat e Ballkanit” do t`i ndërtojnë 30 shtëpi për nevojtarët

Komuna e Prizrenit dhe “Jetimat e Ballkanit” do t`i ndërtojnë 30 shtëpi për nevojtarët

Fisnik Minci 16 May 2019 09:31

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe ata të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, të mërkurën, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e 30 shtëpive për familjet nevojtare. Në projektin e bashkëfinancuar, Komuna do të marrë pjesë me 150 mijë euro derisa Shoqata bamirëse do të participojë me 450 mijë euro. Autoritetet komunale kanë shprehur bindjen se ndërtimi i këtyre shtëpive do të realizohet brenda këtij viti.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pohuar se marrëveshja e nënshkruar me “Jetimat e Ballkanit” parasheh ndërtimin e 30 shtëpive për familjet në nevojë, sipas formës “me çelësa në dorë”, shkruan sot Koha Ditore.

“Vitin e kaluar kemi filluar një bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit, që ka qenë i suksesshëm dhe është replikuar në shumë komuna të tjera. Sivjet edhe pse kemi mbetur vonë në krahasim me komunat e tjera po besoj që shtëpitë do të ndërtohen sivjet dhe do të dorëzohen në afat”, ka thënë Haskuka. Ai ka shprehur mirënjohje për punën e kësaj shoqate jo vetëm në projektin e sipërpërmendur, por edhe për dhënien e shujtave në kuzhinën popullore për nevojtarët, si dhe kujdesin ndaj jetimëve dhe popullatës në nevojë.

Drejtuesi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati ka pohuar se vitin e shkuar në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit janë ndërtuar 20 shtëpi për nevojtarët, derisa sivjet parashihet të ndërtohen 30 sosh. “Për dy vjet, 50 familje po bëhen me strehë dhe unë si Halil dhe si ‘Jetimat e Ballkanit’ jemi shumë të kënaqur”, ka thënë ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme