Objekti i vjetër i Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Vitomiricë, Pejë, do t’ia lirojë vendin objektit të ri që do të ndërtohet në të njëjtin lokacion.
Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, njoftoi se ky projekt i financuar nga buxheti i Komunës së Pejës është planifikuar të nisë së shpejti dhe në të njëjtin objekt, sipas tij do të sistemohet edhe Zyra e Gjendjes Civile me një hyrje tjetër, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Qendra e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë do të ndërtohet në hapësirën para objektit të vjetër ekzistues. Objekti i vjetër do të shërbejë për pacientë deri në hapjen e objektit të ri e pastaj do të rrënohet. Kurse objekti i ri nga madhësia është pesë herë më i madh se objekti i vjetër”, thotë Loci.
Përveç zyrave për Gjendjen Civile, objekti do t’i ketë edhe tri dhoma të mjekut familjar, dy dhoma të stomatologut, laboratorin dhe dhomën për shërbime të konsultimeve gjinekologjike.
Vlera e këtij projekti, që do të nisë të realizohet sivjet dhe do të përfundojë vitin e ardhshëm, sipas Locit, është 260 mijë.
Një objekt për dy llojet e shërbimeve, si ai në Vitomiricë, është planifikuar sivjet të ndërtohet edhe në fshatin Novosellë, por ky i dyti do të jetë më i vogël se ai në Vitomiricë dhe do të ketë një kosto rreth 80 mijë eurosh, të cilat gjithashtu do të jenë investim i arkës komunale.