Zotimi paraelektoral i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për ofrimin e shujtës ushqimore dhe qumështit falas për nxënësit deri në klasën e 5-të ende nuk është jetësuar.
Autoritetet komunale kanë theksuar se kjo politikë publike tashmë është dërguar në Zyrën e Prokurimit për zhvillimin e procedurave tenderuese dhe se pas përmbylljes së tyre, zbatimi i projektit pritet që të nisë në shtator të këtij viti, me fillimin e vitit të ri shkollor. Por këshilltarët nga radhët e opozitës kanë bërë të ditur se Qeveria komunale deri tani nuk ka treguar zotësi sa i përket përmbushjes së premtimeve të dhëna dhe se është treguar efikase vetëm në raport me shpenzimet e luksit për anëtarët e vet, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtori i Arsimit, Skender Susuri, ka bërë të ditur se politika e premtuar nga kryetari Haskuka është buxhetuar për këtë vit. “Sa kam informata është në fazën e finalizimit. Rreth 12 mijë nxënës, nga klasa e parë deri në klasën e pestë pritet që t’i marrin shujtat me fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Susuri.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)