Gjatë këtij muaji, në dy rrugët me katër korsi të cilësuara si më të rrezikshmet për këmbësorë brenda në qytetin e Pejës, në rrugën që kalon nëpër lagjet “Xhemajl Kada”, “Fidanishte” dhe “7 Shtatori”, e deri te rreth-rrotullimi rrugor afër shkollës së mesme ekonomike, ku lidhën rruga e transitit dhe magjistralet për Mitrovicë dhe Rozhajë, dhe rruga që kalon pranë universitetit publik “Haxhi Zeka”, në drejtim të Deçanit, janë vendosur në disa vendkalime platforma për këmbësorë, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në komunikacion për shkak të shpejtësisë së pakontrolluar nga shoferët e papërgjegjshëm, të cilët vitet e kaluara kanë shkaktuar disa aksidente me fatalitet në këto dy rrugë.
Mirëpo, me këtë projekt në vlerë prej 14 mijë e 555 eurosh, për rritje të sigurimit të këmbësorëve, Komuna nuk ka ndërtuar një platformë të ngjashme në vendkalimin për këmbësorë para shkollës për persona të verbër dhe me dëmtime në të parë “Xheladin Deda”, e cila ndryshe quhet edhe Qendër Burimore për Mësim dhe Këshillim, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërtimi i një pengese të tillë, në këtë vendkalim, në të cilin nxënësit e verbër sfidojnë jetën në çdo ditë kur e kalojën, ka qenë dhe më e nevojshme për rritjen e sigurisë së lëvizjes së këtyre nxënësve jashtë oborrit të shkollës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)