Kamenica pritet të bëhet me noter pas dy vjetëve Foto: Koha

Kamenica pritet të bëhet me noter pas dy vjetëve

21 April 2019 15:18

Ka gati dy vjet që komuna e Kamenicës nuk ka asnjë noter. Qytetarët e Kamenicës dhe fshatrave përreth, janë të detyruar që të udhëtojnë në Gjilan për të rregulluar çështjet për të cilat u duhet noteri.

Në Ministri të Drejtësisë thonë se kanë hapur konkursin për noter dhe në dy muajt e ardhshëm pritet që të gjitha komunat të kenë noterin ashtu siç e parasheh ligji.

Rreth 30 mijë banorë në komunën e Kamenicës po përballën me mungesën e noterit që një vit e gjysmë.

Kjo komunë, ani pse me numër të madh të banorëve, e kishte vetëm një noter, por i njëjti ka ndërruar jetë.

Që nga ajo kohë, nuk është gjetur zëvendësimi, gjë që i ka ngarkuar banorët e kësaj komune.

Rruga deri në Gjilan, e që po u duhet ta përshkojnë shpesh, banorëve të fshatrave të komunës së Kamenicës po u sjell mjaft vështirësi.

Me gjithë kushtet e rënda ekonomike, ata duhet të përballën edhe me këtë problem.

“Ne jemi në hall të madh për një noter në Komunën e Kamenicës, që 1 vit e gjysmë e kemi bërë kërkesën, askush nuk ndërmerr masa, nuk e di pse, njerëzit po duhet me shku në Gjilan, fukarallëku i madh, nuk po munden me udhëtu, mjete nuk kanë, punësim nuk ka, neve në duhet një noter me qenë në Kamenicë”, thotë Sejdi Rudhani nga fshati Roganë.

Ekipi i KosovaPress-it vizitoi edhe fshatin tjetër, Karaçevën. Aty banorët janë mjaft të mllefosur me faktin që problemet të cilat i adresojnë, rrallë herë gjejnë trajtim.

Ismajl Kastrati, banor i këtij fshati, thotë se përveç përballjes me kushte të rënda ekonomike, janë të harruar edhe nga institucionet dhe politikanët.

“Qeveria jonë, ministritë, as për noterë as për asgjë, çdo kërkesë që e bëjmë ne kemi mbet, ata po i këqyrin hallet nëpër qendra, nuk na merr parasysh asgjë”, thotë ai.

Ditë më parë, banorët e këtij fshati i drejtuan një shkresë ministrit të Drejtësisë, prej të cilit kërkonin që të merrte parasysh problemet me të cilat po përballeshin banorët në mungesë të noterit.

Selver Lenjani, kryetar i fshatit të Karaçevës, se Kamenica duhet të ketë së paku tre noter, për shkak të numrit të madh të banorëve që ka.

“Kemi bërë si njoftim dhe kërkesë që 1 vit e gjysmë komuna e Kamenicës është pa noter, të gjithë banorët, qytetarët e Kamenicës duhet të marrin rrugën në drejtim të Gjilanit për të shkuar për të kryer një shërbim të noteri, e për tu kthyer prapë në Kamenicë. Megjithatë ka merituar Kamenica të kenë jo një noter por të kenë minimum tre, sepse janë pak, vetëm këtu nga ky vend ku po intervistohemi 15 mijë banorë të Kamenicës jetojnë. Kërkojmë që urgjentisht të bëhet me noterë komuna e Kamenicës”, thotë ai.

Në Republikën e Kosovës shumë komuna janë me numër të vogël të noterëve, e disa nuk kanë fare.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri qysh në fillim të mandatit kishte proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për noteri, ku kishte bërë disa ndryshime, përfshirë edhe numrin e noterëve.

Më herët parashihej që të jetë 1 noter në 20 mijë banorë, ndërsa me ligjin e ri do të jetë 1 noter në 10 mijë banorë.

Ministria e Drejtësisë hapi konkursin për noterë dy ditë më parë, dhe pritet që brenda dy muajsh komunat të bëhen me noterë konform ligjit.

Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri thotë se çdo komunë do të ketë numër të mjaftueshëm të noterëve.

“Konform procedurave dhe rregullave ne besojmë që brenda këtij gjashtë mujori të parë do të përfundojmë procesin e rekrutimit të pjesës së parë të noterëve shërbime këto tepër të rëndësishme për qytetarët tanë në njërën anë, ndërsa në anën tjetër e lehtësojnë punën e gjyqësorit sepse të gjitha këto shërbime që sot qytetarët i kryejnë te noterët në Republikën e Kosovës më herët kanë qenë të drejtuar te gjykatat dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse në njërën anë lehtëson dhe janë shërbime që qytetarët i marrin në kohë shumë të shpejtë dhe në anën tjetër po edhe gjyqtarët kanë mundësi me trajtu çështje mjaft të rëndësishme dhe mos me u ngarku me çështje që nuk janë të autorizimeve, apo trashëgimisë e kështu me radhë“, thotë ai.

Konkursi për noter është sipas formues së re, 1 noterë në 10 mijë banorë.

Mungesa aktuale e noterëve është shqetësues edhe për kryetarin e Kamenicës.

Qëndron Kastrati thotë se kjo komunë duhet t’i së paku tre noterë, marrë parasysh numrin e banorëve.

“Kamenica ka pas të drejtë dy, deri në tre noterë me i pas, parashihet një noter për 10 mijë banorë, ne i kemi afër 30 mijë banorë. Në kuadër të kësaj ne e kemi pas deri tash vetëm 1 noter, ka ndërruar jetë......Ka pas disa vite që askush nuk ka mund me iu nënshtrua një vlerësimi që me u certifiku si noter. Tash kjo nuk do të thotë që do të jetë sigurt, unë ftoj të gjithë juristët nga Kamenica, por edhe gjithë ata që kanë interesim të jetojnë në komunën e Kamenicës, të hyjnë këtë vlerësim dhe uroj të certifikohen e Kamenica nuk do të ketë më vetëm një noter, por më shumë aq sa e parasheh ligji”, thotë ai.

Përveç banorëve të komunës së Kamenicës, me mungesë të noterëve po përballen edhe komuna e Skenderajt dhe ajo e Istogut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme