Arbëri

Problemet me energjinë çojnë përfaqësuesit e 4 fshatrave të Ferizajt për ankesë në Kuvend dhe në KEK

Fshati Mirosalë, Sojevë, Zllatar, Fshati i Vjetër dhe një pjesë e fshatit Bibaj në Ferizaj vazhdimisht kanë probleme me energjinë elektrike.

Madje, në rast të reshjeve të shiut dhe borës, banorët janë ankuar se menjëherë iu ndalet energjia elektrike, e cila zgjat me ditë të tëra, raporton KTV.

Përfaqësuesit e këtyre fshatrave, të martën kanë deponuar ankesë në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar që shteti të ndërhyjë në këtë çështje.

Prej Kuvendit të Kosovës këta përfaqësues të banorëve u nisën për në KEDS, duke kërkuar investime në rrjetin elektrik.

Këto fshatra furnizohen me rrjetin 10-kilovoltësh nga fshati Bibaj dhe meqë konsiderohet si përçues i dobët, ata po ashtu kërkojnë rritjen e sistemit në 20 kilovolt.

Ankuesit kanë thënë se do të presin një përgjigje nga institucionet ku u ankuan, por në rast se ka sërish ndërprerje të energjisë elektrike, do të dalin edhe në protesta.