Arbëri

Shkolla e torturës

Foto: Koha

Me shikimin përtokë duhet të ecni nëpër korridor e klasa. Në copat e xhamave thyhen rrezet e diellit. Reflektojnë faqeve të përlyera të mureve. Turli fjalë janë shkarravitur nëpër to. Prej atyre më banale deri te ato që shprehin adhurimin për muzikën rok – shkruar me sprej të kuq nga një dorë e kujdesshme. Tavanet mezi po mbahen.

Për shkollën shekullore nuk po ka kush të kujdeset. Ka mbi pesëmbëdhjetë vjet që nuk është vënë dorë e mbarë mbi të – ndryshe nga xhamia në të njëjtin oborr. Këdo që e pyesni në Mirash të Ferizajt, ka një histori personale a familjare të lidhur me të, shkruan sot “Koha Ditore”.

Brezi i mesëm dhe i moshuar kishte mësuar shkronjat e para në bankat e saj. Tek-tuk ka mbetur ndonjë orendi e asaj kohe. Edhe ato pak, janë shkatërruar e hedhur përtokë, sikurse xhamat e dyert. Fshati dhe liderët e kohës u zotuan bujshëm më 2003 kur ia kthyen shpinën se do ta shndërronin në qendër të kulturës. Madje iu la emri i njërit prej mësuesve të përndjekur të fshatit, Muhamet Bytyçi. Pllaka e zezë me emrin e tij vendosur anash hyrjes pa derë, ka nevojë për dorën e mirëmbajtësit. Sikurse edhe për një version të faktuar të historisë së shkollës.

Image

Aty nxënësit e fshatit mësuan shkronjat e para në “Jugosllavinë e kralit”, - sikur thotë një burrë duke iu referuar Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene – në Kosovën Shqipëri prej mësuesve të Ernest Koliqit gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas ripushtimit jugosllav, në vitet nëntëdhjetë dhe në kohë lirie – kur objekti edhe u la pas dore. Tani, i vetëm po lufton dhëmbin e kohës. Dora e njeriut zullumqar po e bën të veten. Dy dhomat e saj dikur ishin edhe shtëpi e mësuesit të ardhur nga Shqipëria. Dy të tjerat, klasa.

Aksioni famëkeq

Aty ishin torturuar kryefamiljarët e fshatit gjatë aksionit për mbledhjen e armëve më 1956. Të mbijetuarit kanë vdekur. Dëshmitë e baballarëve të torturuar po i rrëfejnë copa-copa pasardhësit. Brezi i ri po e shkatërron objektin e sakrificës dhe të krenarisë.

Aty ishte torturuar edhe babai i Naim Bytyçit, mësimdhënës historie, i cili kishte mësuar e dhënë mësim në të. Me kujdes të shtuar shkel nëpër korridor teksa shpalos kujtimet e tij dhe të babait. Në oborrin e shkollës kishte kaluar edhe pjesën më të madhe të kohës në fëmijëri. Shtëpinë e ka matanë rrugës. Anë lëndinës ende luajnë futboll fëmijët e lagjes.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)