Mediat serbe raportojnë se nga përmendorja e serbëve të vrarë e të rrëmbyer nga komuna e Rahovecit, e ngritur në Hoçë të Madhe, natën midis të merkurës e të enjtes janë hequr kryqi dhe flamuri i Serbisë. Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës. Lirije Podrimaj.
"Më datë 07.03.2019 në ora 06:30, një qytetar, banor i fshatit Hoçë e Madhe në Rahovec ka lajmëruar Stacionin policor në Rahovec se kishin vërejtur një dëmtim të pllakës përkujtimore në këtë fshat.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka vërejtur se në pllakën përkujtimore, e cila gjendet në këtë fshat, ishte dëmtuar kryqi si dhe ishte hequr flamuri serb, i cili kishte qenë i vendosur afër pllakës, me ç’rast ishte lakuar mbajtësi-shtiza e flamurit. Policia në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po punon intensivisht në zbardhjen e këtij rasti", tha Podrimaj.
Sipas mediave serbe të Beogradit, kjo përmendore ishte ngritur në Hoçë të Madhe "në shenjë përkujtimi për serbët e vrarë e të kidnapuar nga territori i komunës së Rahovecit".