Arbëri

Pejanët të revoltuar, nuk do të lejojnë ndërtimin e asnjë hidrocentrali në Lumbardh

Nga rrjedhja e ujit të Lumbardhit të Pejës, po planifikohet të prodhohet energji alternative me ndërtimin e një hidrocentrali, i ngjashëm me atë të Deçanit.

Një komision ndërministror i Qeverisë, të cilin e përbëjnë disa ministri, ka marrë sërish iniciativë për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumbardhit, raporton KTV.

Ky komision planifikon ta certifikojë një investitor të huaj nga Austria, i cili do t’i investojë 97 milionë euro në këtë projekt.

Kundër këtij investimi është komuna e Pejës, e cila e kishte penguar realizimin e tij edhe në vitin 2013.

Sipas Engelbert Zefajt, zëdhënës i Komunës së Pejës, komuna nuk ka qenë në dijeni për riaktualizim të këtij projekti, të cilin, siç thotë, kësaj here nuk mund ta ndalë as kryetari Gazmend Muhaxheri.

Kundër janë edhe qytetarët, të cilët thonë se nuk duhet të shkatërrohet një bukuri natyrore të cilën e kanë shfrytëzuar gjithmonë.

Edhe shoqëria civile në këtë komunë është kundër këtij projekti.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë se do të shikojnë se a i plotëson kushtet teknike kompania investuese për të vazhduar më pas me procedurat tjera.

Qytetarët e Pejës, për ta kundërshtuar realizimin e këtij projekti, paralajmërojnë edhe protesta.