Tahiri: Kosova do të behët ashtu siç e deshën Rugova e Jashari

Tahiri: Kosova do të behët ashtu siç e deshën Rugova e Jashari

17 February 2019 16:26

“Kosova atdheu jonë, është fati dhe mundësia jonë e përbashkët, është nderi dhe detyra jonë e shenjtë. Të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin dhe avancimin e shtetit tonë”.

Kështu ka thënë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri në festimin e përvjetorit të 11 të Pavarësisë së Kosovës, në Vushtrri që u mbajt në Kalanë e qytetit të Vushtrrisë.

“Le të na shërbej ky 11 vjetor i Pavarësisë si inspirim që të ecim bashkë në rrugën tonë drejt zhvillimit ekonomik, avancimit të proceseve demokratike, me mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë ndërkombëtarë duke u bërë një vend shembull. Kjo është Republika jonë, për të ia vlen të angazhohemi, të punojmë çdo ditë që ta bëjmë më të mirë, më të pastër, më të përparuar”, ka uruar kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përcjell zyra e tij për media.

Ai ka thënë se “17 shkurtin e çdo viti duhet ta përjetojmë edhe si një ditë të madhe të nderimit, për miqtë tanë ndërkombëtar, miqtë e Lirisë sonë, sepse pa ndihmën e tyre nuk do ishim këtu ku jemi dhe nuk do mund te ecim drejt integrimeve euroatlantike”.

“Ata ishin bashkë me ne në rrugën tonë të lirisë dhe pavarësisë, në vitet e vështira të rezistencës paqësore, ata u bene bashkë kundër regjimit me fashist që po bënte përpjeke te zhduk një popull të tërë vetëm pse ishin Shqiptar dhe liridashës”, ka thënë ai. “Kosova do të behët ashtu siç e deshën Ibrahim Rugova e Adem Jashari, siç deshën ata që dhanë jetën, qe dhanë gjymtyrët e trupit, siç deshën ata qe punuan pa reshtur me laps e me pushkë, ashtu siç e duan rinia jonë që vazhdimisht po na bëjnë krenar ku do që janë”, ka thënë Tahiri në Akademinë e mbajtur në Vushtrri.

Ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në këtë manifestim ka folur Shaip Hyseni, sekretar i degës së Veteranëve të luftës, i cili tha se lufta e Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja ishte gurthemeli i Pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Dite e Festës së 11 vjetorit të Pavarësisë ka filluar me homazhet e bëra nga përfaqësuesit politik e institucional, përfaqësues e drejtues të Shoqatave të dala nga lufta, familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve në varrezat e dëshmorëve, martirëve dhe shtatorëve dhe monumenteve në Vushtrri, ku janë vendosur lule të freskëta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme