Arbëri

Komuna e Ferizajt thotë se Infrakosi i keqkuptoi ata për projektin e “Bashkimit të Qytetit”

“Bashkimi i Qytetit” u nis nga komuna e Ferizajt, si projekt i rëndësisë së veçantë për të zgjidhur kaosin urban dhe për të mundësuar lëvizje më të lehtë të automjete dhe këmbësorëve.

Por, komunës i kanë dalë telashe pasi, punimet në periferi përgjatë rrugës Gurzë e Ulët dhe Varosh, në kuadër të këtij projekti, i ka ndaluar Gjykata Themelore e Ferizajt, raporton KTV.

Punimet janë ndaluar pas ankesës së “Infrakosit” në gjykatë se komuna pa miratimin e saj, ka nisur punimet në pronën e kësaj ndërmarrjeje.

Zyrtarë të komunës këtë situatë po e shohin si keqkuptim nga “Infrakosi”, pasi thonë se me kohë kanë marrë leje për të shfrytëzuar këtë hapësirë.

Albion Sherifi, këshilltar i kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, thotë komuna ka ushtruar ankesë ndaj aktvendimit të gjykatës, derisa pret që ai të shfuqizohet nga Gjykata e Apelit.

Infrakosi, në pronën e të cilit janë zhvilluar këto punime, nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje.

Ndërsa, opozita në Ferizaj e sheh me skepticizëm realizimin e këtij projekti.

LDK-ja vlerëson se problemi me hekurudhën që ndan qytetin në dysh është dashur të zgjidhet nga niveli qendror.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se ky projekt është nisur aty për aty, pa ndonjë studim të mirëfilltë dhe pa sqarimet e nevojshme.

Projekti parasheh nënkalimin për vetura nga rruga ‘Vëllezërit Gërvalla’ deri te rruga ‘Madeleine Albright’.

Projekti që ka kosto prej 6 milionë eurosh, parasheh gjithashtu vazhdimin e nënkalimit ekzistues nga rruga afër postës deri në rrugën ‘Emin Duraku’.