Arbëri

Plaku që nuk e theu vdekja e 11 fëmijëve

Descriptive Text

Trupin e mban pip teksa lëshohet shkallëve. Më të vështirë e ka të ngjitet në katin e gjashtë të ndërtesës me tri katet e para të ndara për turli biznesesh. Aty ka banesën dydhomëshe Isuf Muhaxheri.

Syri nuk të zërë askund ndonjë bastun. Plaku 92 vjeç ende mbahet në këmbët e veta. Hapur është dera e tarracës me pamje kah ana kodrinore e pjesës lindore të Kaçanikut. Ambienti është i freskët. Plaku ngrihet pas pak që ta mbyllë nga droja se mund ta ketë ftohtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me gjithë mërzinë, plaku nuk është dorëzuar

“Veç sa u ktheva prej shehri e kesh tu e kall zjarrin kur ra zilja”, thekson Muhaxheri si nën faj. Hapur është dera e stufës te muri anësor i sallonit. Çelë janë edhe dyert e dhomës së gjumit dhe të banjës. I kaltër është ekrani i televizorit. I ka dalë nga programi.

Me gishtin tregues të dorës së djathtë shtyp butonin poshtë ekranit. E fik që ta shtrojë rrafsh muhabetin. Muhaxheri jeton fikall vetëm në njërën prej ndërtesave të pakta të reja të banimit kolektiv në qytezën juglindore.

Përballë kalon lumi Nerodime, që në të dalë të qytetit derdhet në Lepenc, në grykën piktoreske të Kaçanikut. Nerodimja, që ndan qytetin në dysh, ia mori xhaxha Hamdiun në lule të rinisë në një dimër të largët. Ishte vetëm 14 vjeç, kur acari i madh kishte ngrirë sipërfaqen e lumit. Aksidentalisht, Hamdiu kishte rënë në një çarje akulli.

Emrin e tij do t’ia përtërinin babait të Isufit. Jeta e vështirë nuk do t’i ndahej asnjëherë familjes Muhaxheri, por familja do të jetonte rehat me të mirat e pakta që ofronte jeta në Kosovë nën pushtues të ndryshëm gjatë gjysmës së parë të shekullit njëzet.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)