LDK: Ndërmarrjet publike në Ferizaj drejt falimentimit

LDK: Ndërmarrjet publike në Ferizaj drejt falimentimit

Agim Ademi Agim Ademi 29 January 2019 10:21

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një konference për media ka akuzuar qeverisjen lokale me arsyetimin se ndërmarrjet publike janë në prag të falimentimit për shkak se janë mbingarkuar me punësime pa mbulueshmëri të mjeteve financiare. Madje, sipas LDK-së, punëtorët e Stacionit të Autobusëve po detyrohen nga pushteti të marrin pushime pa pagesë me qëllim që të mos thellohet edhe më shumë gjendja financiare.

Gëzim Kokollari, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, nëpërmjet kësaj konference, ka thënë se kompanitë publike në Ferizaj po shkojnë drejt falimentimit, derisa qeverisja lokale e pati nisur mandatin duke shkarkuar punonjës dhe borde pa ndonjë bazë ligjore me qëllim të punësimit të militantëve të vet, raporton Koha Ditore.

“U shkarkuan edhe bordet e kompanive publike, për të cilat madje edhe auditorët kishin konstatuar afarizëm stabil financiar. ​Dega e LDK-së në Ferizaj ka bërë të njohur këto tendenca degraduese, por nuk ka menduar që ky avaz do të vazhdojë deri në këtë shkallë të falimentimit. ​Emërimet e bordeve të reja në këto ndërmarrje ishin bërë për të rehatuar militantët partiakë dhe këto borde janë komplet joprofesionale dhe jokompetente për punën që po e kryejnë”, ka thënë Kokollari.

Sipas tij, kjo punë detyrimisht i ka sjellë pasoja në keqësimin e gjendjes financiare të ndërmarrjeve publike. Sipas tij, në Stacionin e Autobusëve në Ferizaj punëtorët janë ata që po i bartin këto pasoja, duke u detyruar që të marrin pushim pa pagesë vetëm e vetëm për të mbijetuar ndërmarrja financiarisht.

“​Këtë gjendje e ka rënduar edhe shpikja e pozitave të panevojshme, që nuk kanë ekzistuar më herët, siç është rasti i emërimit të zëvendëskryeshefit. ​Punëtorët e Stacionit të Autobusëve u detyruan për hir të pushtetit ta bëjnë këtë veprim, duke u detyruar ta nënshkruajnë pushimin pa pagesë kundër vullnetit dhe kushteve të tyre materiale”, ka thënë më tej Kokollari. Sipas tij, punëtorët në Stacionin e Autobusëve po frikësohen ta pranojnë publikisht për shkak të shantazheve të pushtetit. Ai shpjegon se fatin e njëjtë më herët e kishin edhe disa punëtorë të NPL “Ambienti” në Ferizaj. “​Gjithashtu, edhe në ndërmarrjen “Pastërtia” punëtorët i marrin pagat deri në 3 muaj me vonesë. Marrja e pagesës çdo tre muaj ka qenë e panjohur deri tash në komunën e Ferizajt. ​Problem në vete është edhe kthimi në punë i anëtarëve të bordeve, të cilët me vendime të gjykatave shëtisin derë me derë për të realizuar të drejtën e tyre sepse kryetari nuk i zbaton vendimet e gjykatës. ​Nga këtu i bëjmë thirrje kryetarit Aliu që të fillojë të zbatojë vendimet e gjykatave për kthimin në punë të anëtarëve të bordeve, dhe të bëjë kompensimin e pagave të humbura sipas vendimeve gjyqësore”, ka thënë më tej Kokollari. Ai ka shtuar se është për keqardhje se si pas një viti të qeverisjes lokale në Ferizaj, ndërmarrjet publike janë sjellë në prag të falimentimit si pasojë e keqmenaxhimit dhe stërngarkimit me punësime të militantëve dhe familjarëve të vet.

Nga ana tjetër Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, i ka hedhur poshtë akuzat e LDK-së, duke thënë se është një përshkallëzim i gjykatave të shkallës së parë, mirëpo komuna po pret epilogun përfundimtar të gjykatave për t’i respektuar vendimet e tyre për t’i kthyer punëtorët në punë. “Qeverisja jonë e ka dëshmuar se i zbaton vendimet e gjykatave, por ish punëtorët e larguar i kthen në punë gjykata dhe jo komuna. Rasti konkret është i drejtorit të QKMF-së i cili është anëtar kryesisë së LDK-së, mirëpo pasi që gjykata ka marrë vendim për ta kthyer në punë, ne e kemi zbatuar atë. Ndryshe ndërmarrjet publike po funksionojnë normalisht, ndërkaq ka pasur raste kur gjykata i ka kthyer në vendet e tyre të punës punëtorët të cilët janë larguar nga ish qeverisja e LDK-së, dhe ne i kemi respektuar ato vendime dhe ia kemi paguar ato paga që i ka mbetur borxh komuna”, ka thënë Marevci. Sipas tij, të gjithë punonjësit me kontrata mbi vepër nëpër ndërmarrje publike i kanë marrë pagat e tyre me rregull, prandaj qeverisja aktuale është duke u treguar shembull për menaxhimin e parasë publike.

Legjenda: Gëzim Kokollari, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, nëpërmjet kësaj konference ka thënë se kompanitë publike në Ferizaj po shkojnë drejt falimentimit, derisa qeverisja lokale e pati nisur mandatin duke shkarkuar punonjës dhe borde pa ndonjë bazë ligjore me qëllim të punësimit të militantëve të vet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme