Arbëri

Arrestohet i dyshuari për largimin e tabelës rrugore me emër të At Luigj Palaj

Banori i fshatit Buqan të Pejë, A.G. është arrestuar nga policia të hënën mbrëma, pasi Prokuroria Themelore e Pejës, e kishte autorizuar Policinë e Kosovës që këtë qytetar ta shoqërojnë në stacionin policor në Pejë, për shkak se kishte larguar një tabele me emërtim të një rruge në fshat.

Fillimisht i dyshuari ishte intervistuar për veprimin që ai kishte bërë në fshatin e tij.

“Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë. Të martën do të vendoset për veprimet tjera”, ka konfirmuar për Kohën Ditore, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, i dyshuari shihet duke e larguar tabelën e rrugës dhe duke e hedh në tokë. Tabela mbante emrin e meshtarit katolik, At Luigj Palaj, i cili bashkë me 55 bashkëkombës të tjerë, ishte pushkatuar në vitin 1913 në Janash afër Gjakovës, për shkak se kishte kundërshtuar konvertimet e dhunshme të shqiptarëve myslimanëve në ortodoks të kishës sllave nga mbretëria e atëhershme e Malit të Zi.

Në atë video para se ta hedhë tabelën në tokë i dyshuari thotë se është ndjerë shumë keq kur ka parë këtë tabele me atë emër.

“Tabela e vendosur para derës së shtëpisë së dëshmorit Zeqir Gashi, e i jepet rrugës emri Luigj Palaj. Ka pas dëshmorë tjerë që kanë mund me pas emrin këtu...”, flet ai teksa heq dhe hedh në tokë tabelën e rrugës. Nuk dihen motivet pse e ka heq tabelën.

Ndaj këtij veprimi të këtij banori të Buqanit, ka reaguar edhe Komuna e Pejës.

“Gjest i papranueshëm! Ky vendim i emërtimit të rrugëve është i miratuar nga komisioni i Kuvendit të Pejës dhe i tillë mbetet. Komuna do ta menaxhojë këtë situatë. Shihet se ka nevojë për më shumë sqarime për qytetarët në mënyrë që të eliminohen keqkuptimet. Këtë do ta bëjmë, do të bisedojmë më shumë me qytetarët, deri sa ata ta kuptojnë drejtë procesin e emërtimit të rrugëve”, tha Engelbert Zefaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.

Kryetari i ish-komisionit Komunal për emërtimin e rrugëve, Fatos Lajçi, tregoi për Kohën Ditore se Komisioni nuk ka emëruar vet asnjë rrugë.

“Ne vetëm kemi pranuar, analizuar, kemi shikuar kriteret dhe kemi vendos. Nuk e di si emër kush e ka propozuar se janë mbi një mijë rrugë që janë emërtuar. Për çdo emër të propozuar është lënda në Komunë”, thotë Lajçi.

Në prill të vitit 2014 Kuvendi Komunal i Pejës kishte formuar komisionin për emërtimin e rrugëve dhe shesheve dhe ky komision kishte marr për detyrë të emërtojë rreth një mijë rrugë, kryesisht rrugë në vendbanimet rurale, që ishin të pa emërtuara. Ky proces ka përfunduar pas tri vjetësh, kur dokumenti me rrugë të emërtuara është miratuar nga Kuvendi Komunal në korrik të vitit 2017.