Kosovë

Rastet e korrupsionit dhe të fajdeve sfidojnë Prokurorinë e Prizrenit

Rastet e korrupsionit dhe të fajdeve sfidojnë Prokurorinë e Prizrenit

Drejtuesit e Prokurorisë Themelore të Prizrenit kanë theksuar se ky organ gjatë vitit të shkuar ka treguar efikasitet në kryerjen e lëndëve. Sipas të dhënave të prezantuara nga kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Admir Shala, del se kjo Prokurori në vitin e shkuar ka kryer më shumë kallëzime penale në krahasim me numrin e pranuar të tyre. Megjithëkëtë, Shala ka veçuar vështirësitë në ndjekjen e veprave penale të korrupsionit dhe rastet e fajdeve.

“Sfidë edhe më tutje për këtë institucion mbeten veprat penale të korrupsionit dhe rastet e fajdeve, në të cilat jo rrallë mungojnë dëshmitarët, madje këta të fundit edhe i ndërrojnë deklaratat”, ka thënë Shala, gjatë një konference për media, në të cilën është prezantuar raporti i punës për vitin 2018 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2019, shkruan sot Koha Ditore.