Ish-kryetari i Deçanit bëhet drejtor i Shëndetësisë

Ish-kryetari i Deçanit bëhet drejtor i Shëndetësisë

Ilir Osmanaj 15 janar 2019 13:31

Ekzekutivi i Komunës së Deçanit ka pësuar ndryshime në përbërjen e tij, në kuadër të procesit të reformimit të Ekzekutivit të Komunës së Deçanit, që e kishte paralajmëruar në janarin e vitit të kaluar, kur e ka marrë postin e kryetarit, Bashkim Ramosaj.

Në muajin mars të vitit të kaluar, Ramosaj kishte filluar procesin e ndërrimit dhe emërimit të drejtorëve komunalë dhe për këtë proces ai kishte thënë se do të zgjaste deri në muajin shtator, kur ai kishte menduar edhe ta përmbyllte këtë cikël të ndryshimeve në shtatë apo tetë drejtori komunale, prej 11 drejtorive gjithsejtë sa i ka kjo komunë. Vitin e kaluar kanë ndodhur vetëm tri ndryshime në postet e drejtorëve komunalë, kurse këtë proces të papërfunduar vjet, Ramosaj e ka vazhduar këto ditë me ndryshime të tjera, që janë bërë në kuadër të procesit të reformave të Ekzekutivit, shkruan sot Koha Ditore.

Ramosaj ka sjellë vendim për emërim të drejtorëve të tjerë në tri drejtori komunale. Me detyrën e drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është ngarkuar Musa Berisha, në vend të Ibrahim Selmonaj, që e ka drejtuar këtë drejtori nga viti 2016. Drejtori i ri i Shëndetësisë në Deçan, Musa Berisha ka qenë kryetar i Komunës së Deçanit në mandatin 2007 deri 2009. Dhe pas kryerjes së mandatit të kryetarit, Berisha ka punuar si mësimdhënës në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Për detyrën e re që e ka pranuar si drejtor komunal, Berisha ka njoftuar edhe drejtorin e Gjimnazit në Pejë, Musa Nikçi. “Musa Berisha ka qenë mësimdhënës i gjuhës shqipe në gjimnaz dhe nga java e kaluar ka marrë pushim pa pagesë për gjashtë muaj”, tha Nikçi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme