Shpenzimet për mëditje dhe udhëtime jashtë vendit të drejtorëve dhe zyrtarëve të tjerë të Komunës së Pejës nuk figurojnë të ndara në raportin financiar të Komunës për nëntë muajt e parë të vitit 2018.
Sipas raportit financiar për të hyra dhe shpenzime, për periudhën nga fillimi i muajit janar deri në fund të muajit shtator për udhëtime zyrtare dhe mëditje jashtë vendit janë shpenzuar 25 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë raport financiar të gjitha këto harxhime janë të përfshira bashkë në kuadër të kodit për shpenzimet e udhëtimit dhe në të nuk gjen asgjë veç e veç se cilët zyrtarë të Komunës kanë udhëtuar zyrtarisht jashtë vendit, në cilat shtete kanë qenë dhe arsyen për çka kanë udhëtuar.
Madje, burime brenda Komunës pohojnë edhe dyshime për shpërdorim të mundshëm të mjeteve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Në mungesës të të dhënave të tjera në raportin financiar për shpenzimet zyrtare jashtë vendit, “Koha Ditore”, bazuar në Ligjin Nr. 03/L-215 për qasje në dokumente publike, i është drejtuar zyrtares për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike, me kërkesën zyrtare për qasje në listat me emra të zyrtarëve të Komunës që kanë udhëtuar jashtë, në cilat vende dhe cila ka qenë arsyeja e atyre udhëtimeve.
Mirëpo, gazetës nuk i është dhënë mundësia e qasjes në këto lista me emrat e zyrtarëve të Komunës që kanë udhëtuar jashtë vendit me shpenzime të arkës komunale.
Shpenzimet e arkës komunal të Pejës për udhëtime zyrtare dhe mëditje jashtë vendit për nëntë muajt e parë të këtij viti janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar....(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)