Arbëri

Kontestet gjyqësore dëmtojnë Komunën e Pejës për 1 milion euro, për 9 muaj

Subjekti opozitar i Pejës, AAK, të martën në një konferencë shtypi, ka shprehur shqetësimet për keqpërdorim të parasë publike në Komunën e Pejës nga qeverisja lokale në krye me kryetarin Gazmend Muhaxheri.

Ardit Gërvalla nga ky subjekt ka potencuar dënimet gjyqësore më shumë se 5 milionë euro, që ka paguar kjo qeverisje katër vjetët e kaluar, derisa vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, Komuna e Pejës ka paguar afro 1 milion euro dënime gjyqësore, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Deri në përfundim të vitit 2018 Komuna e Pejës me këtë kryetar humb rreth 6 milionë euro si pasojë e mosrespektimit të ligjit, më saktë mosrespektim të vendimeve gjyqësore dhe po ashtu edhe si pasojë e mospërmbushjes së kontratave me operatorë të ndryshëm, që ne dyshojmë që ka ndodhur qëllimisht me marrëveshje nga të dyja palët. Dhe kjo lë për të kuptuar që përfitues në këtë aspekt kanë qenë edhe disa aktorë komunalë”, shpreh ky subjekt dyshimet për këto dënime të paguara.

Sipas Gërvallës, Komuna e Pejës, prej janarit të këtij viti deri në shtator, sipas raportit të Drejtorisë së Financave, ka shpenzuar 140 mijë euro vetëm karburante veturash.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)