Arbëri

Bizneset në Pejë i mbulojnë me ngjyrë produktet me “Kosovë e Metohi”

Descriptive Text

Edhe pse ditët e para ishin marrë disa aksione për largimin e këtyre produkteve nga tregu, në raftet e bizneseve tregtare në qytetin e Pejës gjenden në shitje produktet e Serbisë që kanë në tiketat apo deklaracionet e tyre emërtime të tjera në kundërshtim me emrin kushtetues të shtetit tonë.

Gjatë ditës së hënë, gazeta “Koha Ditore” ka hasur në disa qendra tregtare dhe vetëshërbime produkte të Serbisë në shitje që i kishin mbuluar me ngjyrë emërtimet në tiketat e produkteve me emra që nuk i referohen si Republika e Kosovës.

Megjithëse emërtimet e tilla që i drejtohen Kosovës si “Kosove dhe Metohi”, “Kosovo Unmik”, “Kosovo 1244”... janë të mbuluara me ngjyrë, Inspektorati Komunal i Pejës nuk i ka larguar ato nga shitja.

Në këtë inspektorat pohojnë se janë duke e zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka sjellë më 21 nëntor, me të cilin obligohen edhe inspektorët komunalë të tregut që t’i heqin nga tregu të gjitha produktet serbe që Kosovës nuk i referohen si Republika e Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë është duke u zbatuar në Komunën e Pejës. Inspektorët e tregut janë të angazhuar çdo ditë nëpër subjektet afariste për të identifikuar produkte serbe me etiketa të ndaluara sipas vendimit të Qeverisë. Mirëpo ne e kemi praktikuar një metodë që secilit subjekt afarist me ia lënë një proces me tri ditë afat që brenda atyre tri ditëve ata me i largu të gjitha ato produkte”, pohon drejtori i Inspektoratit komunal, Leotrim Murtezaj.

Ai e pranon se personalisht nuk i ka shoqëruar inspektorët e tij të tregut në këto aksione, por, siç pohon ai, për të hënën apo të martën bashkë me ta sërish do t’i inspektojnë bizneset.

“Do t’i hymë inspektimit të të gjitha subjekteve afariste për të parë se a e kanë respektuar procesin që ua kemi lënë për t’i larguar vetë produktet në fjalë brenda tri ditëve”, thotë Murtezaj.