Arbëri

Vetëvendosja analizon raportin 9-mujor të shpenzimeve në Lipjan, tregon se si shpenzohen paratë e taksapaguesve

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ka analizuar raportin e shpenzimeve për periudhën janar-shtator të Komunës së Lipjanit.

Raporti nëntëmujor i shpenzimeve, thotë Lëvizja Vetëvendosje, nxjerr në pah mënyrën e shpenzimeve të parasë publike, mungesën e një buxheti zhvillimor dhe të mirëqenies, por edhe harxhimet e mëdha për dreka zyrtare.

“Gjendja që shpërfaq ky dokument nuk flet aspak për shfrytëzim racional të parasë publike, menaxhim të papërgjegjshëm, projekte të shumta të panisura, dëmtim të buxhetit dhe shpenzime të larta për dreka zyrtare. Kur kanë mbetur vetëm edhe tre muaj deri në përfundim të vitit financiar, thuajse në secilën kategori ekonomike kur bëhet fjalë për shpenzimet për pasuritë jofinanciare apo investimet kapitale vërehen shpenzime të ulëta të buxhetit të planifikuar”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Tutje, thuhet se kudo nëpër investimet kapitale, përqindja e shpenzimeve shkon pak mbi 50%, ndërsa gjysma e buxhetit për investime ka mbetur e pashfrytëzuar, në një kohë kur nevojat e qytetarëve të komunës së Lipjanit janë të mëdha.

“Për më tepër, një qeverisje që për nëntë muaj ka shpenzuar vetëm 50% të buxhetit për investime kapitale, e lë të hapur mundësinë që gjysma tjetër të harxhohet shkel e shko gjatë tre muajve të mbetur, pa vlerësim e planifikim të duhur dhe pa respektuar procedurat. Mbi 38 projekte të planifikuara, masa e shpenzimeve është zero”, thuhet tutje në raportin e VV-së.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbetet shqetësuese dhe shumë e dyshimtë se si në shumë projekte të natyrës së njëjtë, si për shembull asfaltimi i rrugëve, në disa projekte ka dallime të mëdha në mes të shumës së planifikuar të buxhetit dhe shumës së shpenzuar, ndërsa në disa projekte tjera të natyrës së njëjtë, domethënë të asfaltimeve, shuma e shpenzuar është shumë e përafërt me atë të planifikuar.

“Gjithashtu, janë diku 21 projekte, ku shuma e planifikuar e buxhetit dhe e shpenzuar përputhet thuajse në 100%. Kjo përputhje është indikacion se procesi i prokurimit po përcillet me rrjedhje të informatave tek operatorët ekonomik apo edhe me kurdisje të tenderëve. Kurse shpenzimet e reprezentacionit dhe të luksit veçse janë rritur. Vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar rreth 8000 euro, ndërsa për furnizim me pije dhe ushqim mbi 20 mijë euro gjatë nëntë muajve”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, thotë VV-ja, pronat komunale të dhëna në shfrytëzim afatgjatë, jo vetëm që janë bërë pa kritere, pa vlerësim paraprak të nevojave dhe mundësive për investimeve, mbi baza partiake e familjare, por edhe mbikëqyrja e përmbushjes së kontratave nuk ekziston.

“Kjo shpalos qasjen e gabuar kur janë dhënë në shfrytëzim sikurse edhe mungesën e një plani të qartë dhe zhvillimor të komunës përmes shfrytëzimit të tyre. Shumica e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim ose nuk janë shfrytëzuar për destinimin që janë dhënë, ose kanë dështuar të bëjnë investime. Janë bërë shumë vite, disa nga viti 2006, disa tjera nga viti 2009 dhe nuk është bërë thuajse asnjë investim. Ndërsa, për disa të tjera, Komuna mjaftohet me faktin dhe konstatimin e thjeshtë se na paska filluar ndërtimi i objektit, që pronat që janë dhënë në shfrytëzim që në vitin 2006, 2007 e 2009, e ndërtimi i objektit kinse paska filluar në vitin 2018”, thotë VV-ja përmes komunikatës.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pikërisht mënyra se si shpenzohen parat e taksapaguesve, ashtu është edhe qeverisja.

“Raporti nëntëmujor na shpërfaqë trende negative në investimet kapitale, e shpenzime të larta për mallra e shërbime. Kurse pronat komunale që do të duhej të shërbenin si mundësi e hapësirë për investime, zhvillim ekonomik e punësimin e të rinjve, janë shndërruar në mundësi e hapësirë të përfitimeve personale dhe mbrojtje të bashkëpartiakëve”, përfundon raporti i VV-së.

Kryetar i Komunës së Lipjanit është Imri Ahmeti që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.