Arbëri

MI-ja ndan mbi 1 milion euro për sheshin “Adem Preniqi” në Obiliq, vihet gurthemeli

Bashkë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, vunë gurthemelin për ndërtimin e sheshit kryesor të Obiliqit “Adem Preniqi”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje bëhet e ditur se ky projekt do të realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe do të ketë mbi 10600 metra katrorë, kurse kostoja e ndërtimit të tij do të jetë mbi 1 milionë e 200 mijë euro, prej të cilave mbi 1 milion do të jenë investim i MI-së.

Lekaj, duke i uruar qytetarët e Obiliqit ka deklaruar se ky nuk është projekti i fundit që po investohet në Obiliq, qytet ky i cili ka bërë të munduar që ne të gëzojmë përfitimet që i sjellë energjia elektrike që ky qytet prodhon.

Ndërkaq Haradinaj tha se ndërtimi i këtij sheshi për qytetarët e Obiliqit, është investim që këtij qyteti t’i kthehet dinjiteti i munguar që edhe ky qytet të bëhet atraktiv dhe i dëshiruar nga qytetarët dhe vizitorët.

Gashi tha se me kërkesë të qytetarëve të Obiliqit, ky shesh pas aprovimit nga Asambleja Komunale e Obiliqit, do të mbajë emrin e veprimtarit të Adem Preniqi.