KONFRONT

Ibrahimi: Mikroplastika është prezente në secilin peshk në lumin Ibër

Ibrahimi

Doktori i shkencave të Zoologjisë, Halil Ibrahimi, ka thënë se mikroplastika është prezente në secilin peshk në lumin Ibër. 

Të enjten në “Konfront” në debatin mbi krimin mjedisor, Ibrahimi ka thënë se në Kosovë mikroplastikat janë në secilin organizën të gjallë që jeton në lumë. 

“Kemi realizuar një hulumtim në lumin Ibër, që e kemi marrë si test-mjedis për hulumtim dhe e kemi parë që mikroplastikat që janë pasojë e një aspekti shumë të rëndësishëm të ndotjes që ne e shkaktojmë në mënyrë enorme në Kosovë, hulumtimi ka treguar që mikroplastikat janë në secilin organizëm të gjallë jetojnë në lumë, në insekte, në peshq që i përdorim për ushqim, e natyrisht nëpërmjet këtyre organizmave janë edhe te ne njerëzit”, ka thënë ai.

Ibrahimi e ka cilësuar situatën alarmante në aspektin e ndotjes, duke treguar se çfarë lloj mbeturinash mund të gjenden në lumë. 

“Situata është alarmante në aspektin e ndotjes, sidomos në lumenj ku gjinden të gjitha llojet e mundshme të mbeturinave, prej gotave, enët, tenxhere deri te shtretërit, karriget, mobile, vitrina, teknikë të bardhë. Situata është alarmante për botën e gjallë, për biodiversitetin”, ka thënë ai.


Shala-Kadiu: Mjedisi as që është pjesë e fushatës zgjedhore të partive

Egzona Shala – Kadiu nga organizata mjedisore “Eco Z” ka kritikuar partitë politike që nuk e përfshijnë mjedisin në fushata zgjedhore.

Ajo ka thënë përgjegjësi kanë edhe qytetarët  për mjedisin.

“Mjedisi është mirëqenia e çdo qytetari. Në një anë duhet ta kuptojmë që jemi shoqëri në tranzicion dhe kjo nuk na jep komoditetin të mendojmë për mjedisin por qytetarët e dinë që bërllokun duhet ta gjuajmë në shportë”, ka thënë ajo.

Sipas  saj duhet të fuqizohet ligji dhe të ketë gjobitje për ata që nuk e ruajnë mjedisin.

Ka shtuar se: “politikanët tanë nuk e konsiderojnë mjedisin mjaftueshëm të rëndësishëm sa që në zgjedhje qendrore nuk ka pas as premtime për mjedis. As për ujë nuk ka pas”.


Salihu: Në parqe nacionale janë futur lumenjtë në gypa, qytetarët nuk preukupohen

Aktivisti Labinot Salihu ka deklaruar se ata pak lumenj që i ka Kosova në parqe nacionale, janë futur në gypa.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, ai ka thënë se ndonëse Kosova është vendi më i varfër me ujëra sipërfaqësor në Evropë, konsiderohet se rryma është ajo që na duhet e jo uji.

“Kosova vazhdon të jetë vendi më I varfër në Evropë me ujëra sipërfaqësor, edhe ato pak që i kemi, i kemi future nëpër gypa për të prodhuar rrymë sepse po konsiderojmë që rryma është çka na duhet e jo uji. Edhe në parqet nacionale që janë rreptësisht të ndaluara, jo vetëm të futet lumi në lyp, por edhe të ndryshohet çfarëdo forme e ekosistemit, ne kemi arritur t’i fusim ata lumenj nëpër gypa për interesa jashtëzakonisht shumë të ngushtë”, ka thënë ai. 

Sipas Salihut, edhe pse futen në gypa, nga këta lumenj prodhohet fare pak rrymë dhe më shumë ka dëm që i bëhet mjedisit.


Veselaj: Ujërat e deponive mund të bartin 200 toksina kontaminuese

Tafë Veselaj, udhëheqës i sektorit të Vlerësimit të Gjendjes së Mjedisit ka thënë se që nga viti 2011 kemi publikuar një raport për hotspotin mjedisor  në të cilin janë identifikuar 110 hotspote mjedisore në vende të ndryshme të Kosovës.

Sipas tij, prej atyre 30 zona kanë qënë të rrezikshme për mjedisin dhe popullatën.

“Në anën tjetër kemi edhe  deponitë sanitare dhe asnjëra prej tyre nuk ka leje të integruar. Për arsye se po të futen në leje të integruar në procesin 10-vjeçar, besoj se edhe këto deponi do të menaxhoheshin me standarde ashtu siç është përcaktuar me direktivën për menaxhimin e deponive. Këto hotspote përmbajnë kimikate, toksina, deponi industriale. Vetëm nga këto ujëra të deponive mund të barten deri në 200 toksina të cilat mund t’i kontaminojnë ujërat sipërfaqësor e ata nëntokësorë”, ka thënë ai.