OpEd

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka fjalën Vuçiq?! Apo mos duhet përgatitur që në ditët në vijim të shohim edhe ndonjë “Panda” tjetër?!

1.
TRENI RUS me mbishkrimet në 21 gjuhë “Kosova është Serbi” arrin në stacionin në veri të Mitrovicës.
“Kjo nuk është asgjë e re. Ne vetëm kemi udhëtuar nga Beogradi, nëpër Serbinë qendrore dhe kemi ardhur në Krahinën tonë jugore, në Kosmet”, flet me triumfalizëm, Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
I rrethuar me klerikë serbë, ai u buzëqesh gazetarëve që kanë udhëtuar me trenin e njëjtë me të, derisa një bashkudhëtar ia hedh rreth qafës një flamur të Serbisë.
“Të mos na ftohesh, se na duhesh, shef”, i thotë. “Pa ju s’kemi jetë ne këtu”.
“Mos u mërzitni. Këtu jemi në tokën e shenjtë të Serbisë. Së shpejti me këtë tren do të vazhdojmë për në Fushë-Kosovë e Ferizaj”, ia shtrëngon shpatullat Gjuriqi.
“Bravo, shef! Ky tren e vërtetoi se Kosova ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë Serbi”.

2. 
TRENI RUS sapo ka kaluar në territorin e Kosovës. Udhëtarët, bashkë me përfaqësuesit e qeverisë së Beogradit dhe klerikët, këndojnë me zërin në kupë të qiellit.
Njëra nga manekinet, e veshur si stjuardesë, ia mbyll syrin Gjuriqit me erotizëm. Ai e thërret që t’u bashkohet në këngë.
Sapo e bën hapin e parë, një xham i trenit thyhet. Ajo kap qafën për ta mbuluar gjakun.
“Po na sulmojnë! ‘Shiptarët’ po na gjuajnë”, bërtet dikush.
Në panik, të gjithë shtrihen në dyshemenë e trenit.
Thyhen edhe dy xhama të tjerë.
“Do të na vrasin të gjithëve”, thërret manekinia.
“Shtrenjtë do ta paguajnë këtë ‘shiptarët’”, i siguron Gjuriq. “Do ta marrin atë që po kërkojnë”.
Një ditë më vonë, në 11:00 të mëngjesit, Gjuriq mban konferencë shtypi në qendër të veriut të Mitrovicës. Në një tavolinë të improvizuar ka prezantuar disa plumba, një granatë të pashpërthyer dhe disa gurë të mëdhenj.
“Siç e keni dëgjuar mbrëmë në konferencën e jashtëzakonshme të shtypit, kryeministri Aleksandar Vuçiq u ka telefonuar të gjithë liderëve të shteteve, duke kërkuar nga ta që të mos lejojnë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Rusia ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën ne presim që të shfuqizohet Rezoluta 1244 dhe që ushtria serbe të hyjë në territorin e krahinës jugore, për t’i ruajtur serbët që po vriten nga ‘shiptarët’”.
Qytetarët duartrokasin. Disa prej tyre kanë qëndruar në shesh, duke protestuar që nga mbrëmja e kaluar.
“Na jepni armë, duam armë!”, dëgjohet dikush.
"S’ka nevojë që ju të shqetësoheni. Bota tashmë e ka të qartë se shqiptarët nuk duan asnjë serb në Kosmet”, e porosit Gjuriq. "Nga sot ne kemi ndërprerë çdo kontakt me institucionet e përkohshme qeverisëse të Prishtinës, do të tërhiqemi nga secili obligim që kemi marrë nga dialogu në Bruksel dhe do të shpallim organet serbe vetëqeverisëse. Kemi urdhëruar secilin zyrtar serb që t’i lëshojë institucionet e Prishtinës, qoftë në qeveri, qoftë në parlament, gjyqësi ose kudo”. 
I ngre dy grushte në drejtim të qiellit: 
“Mjaft më, Kosmeti është tokë serbe”.

3.
TRENI RUS është njëri nga veprimet e ndërmarra nga Beogradi me synimin që ta zërë “trenin e fundit”, siç duket të besojnë ata, për të shpëtuar diçka nga humbja e Kosovës.
Dy skenarët e mësipërm, cilido që do të realizohej, do të nënkuptonte triumf për qeverinë serbe. Nëse treni do të qarkullonte lirisht deri në Mitrovicë, mesazhi do të ishte se deri në Mitrovicë është Serbi. Nëse treni do të sulmohej, mesazhi do të ishte se jetët e serbëve janë të rrezikuara në Kosovë dhe për këtë Beogradi duhet ta aneksojë veriun dhe komunat me shumicë serbe, në mënyrë që t’i mbrojë serbët.
Të dy këta skenarë ranë në ujë për shkak se treni nuk u lejua të hynte fare në Kosovë.
Mirëpo, me këtë nuk kanë përfunduar edhe provokimet e Beogradit për të krijuar pozicion faktik politik në terren, në mënyrë që pastaj të hyhet në një fazë të re negociatash, me qëllimin final - ndarjen e Kosovës.

4. 
NË SYTË E qeverisë së Vuçiqit nuk ka një moment më të përshtatshëm për të bërë përpjekjen e fundit për ta ndarë Kosovën.
Klasa politike në Kosovë është pikë e pesë ndërmjet vete.
Bashkimi Evropian është i mbingarkuar me problemet e brendshme, me krizën e refugjatëve, Sirinë e BREXIT-in, saqë nuk ka kapacitete të mjaftueshme edhe po të dëshironte të merrej me krizën e re në Kosovë.
Dy shtetet më të rëndësishme të BE-së, Gjermania e Franca, së shpejti hyjnë në fushatat për ciklet zgjedhore shumë të rëndësishme për to.
SHBA-ja është e preokupuar me ndërrimin e administratës dhe Presidentit të ri Trump do t’i duhet kohë për t’u marrë me Ballkanin.
Rusia, sakaq, synon që t’i shfrytëzojë të gjitha këto, në mënyrë që të rritë ndikimin në Ballkan, para se edhe Mali i Zi zyrtarisht të bëhet pjesë e NATO-s.
Në këtë frymë, edhe muri në veri të Mitrovicës. 
Në të njëjtën frymë, edhe arrestimi i Haradinajt dhe këmbëngulja që ai të ekstradohet me çdo kusht në Serbi.
Beogradit, në fakt, fare nuk i intereson muri. Njësoj siç fare nuk i intereson të “arrihet drejtësia” me gjykimin e Haradinajt. Beogradit i intereson vetëm që shqiptarët të provokohen, të bien në grackë, të sulmojnë serbët në Kosovë dhe këtë ta përdorë pastaj si argument - se shqiptarët nuk duan të jetojnë me serbët.
Beogradi llogarit se gjakrat do të nxehen edhe me ndonjë arrestim me peshë nga Gjykata Speciale në Kosovë, me të cilin përçarja ndërmjet partive politike, gjegjësisht përkrahësve të tyre, vetëm sa do të rritet dhe që, mundësisht, shqiptarët të fillojnë ta luftojnë njëri-tjetrin e të mos kenë kapacitete për t’iu kundërvënë planit serb.

5. 
KA MË SHUMË se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike.
Mirëpo, kryeministri serb, Vuçiq, në konferencën e shtypit, pas dështimit të hyrjes së “trenit rus” në Kosovë, “i luti shqiptarët që të mos i vrasin serbët në Kosovë”.
Për çfarë vrasjesh e ka fjalën Vuçiq?! 
Apo mos duhet përgatitur që në ditët në vijim të shohim edhe ndonjë “Panda” tjetër?!
Ta kemi të qartë: Në Kosovë janë rreth 95% shqiptarë.
Për Kosovën vendos Prishtina, jo Beogradi.
Konflikti Kosovë-Serbi i konvenon vetëm Serbisë, në mënyrë që të provojë të fitojë bile diçka nga ajo që ka humbur.
Shqiptarët s'kanë arsye t'u bien daulleve të luftës.
Shqiptarët s'kanë pse ta luajnë lojën e Serbisë.