Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se vitet e Pavarësisë tregojnë se Kosova është forcuar si shtet.
“Nëntë vite më parë përfundoi një ëndërr, për të filluar një tjetër. Sot kur vlerësojmë nëntë vite, e kuptojmë se sa larg kemi arritur. Se është ndërtuar shteti me gjithë vështirësitë që kemi pasur. Sot e kemi një Kosovë të re me ambicie për Bashkimin Europian”, ka thënë Thaçi.
Si e arritur e madhe e Kosovës gjatë këtyre nëntë viteve Pavarësi, Thaçi ka përmendur njohjet, punën e mirë të Policisë së Kosovës, FSK-në, dhe yjet muzikore si Dua Lipa e Rita Ora.
“Është Kosova e njerëzve që nuk dorëzohen. Është e njerëzve që gjejnë forcë për të ndërtuar shtetin. Kjo është fitorja e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë veç të tjerash Thaçi.