Kulturë

“Uracult Classics” në Köln me muzikë e skulptura për traditën shqiptare

Publiku gjerman do të ketë mundësi të njihet me kulturën shqiptare përmes koleksionit të skulpturave të artistes Arjeta Miftari, të inspiruara nga simboli i dardanëve Hyjnesha në Fron.

“Rrugëtimit të hyjneshave” - titulli që mban ekspozita e Arjetës, me të cilën ajo tashmë është paraqitur në disa vende - do t’i bashkëngjitet edhe koncerti i muzikës klasike, “Shndërrimet e shpirtit”, shkruan sot Koha Ditore.

Mexosopranoja e njohur kosovare, e cila jeton në Vjenë, bashkë me dirigjentin e pianistin shqiptar, Desar Sulejmani, do të ngjiten në skenën prestigjioze të shtëpisë kulturore “Altes Pfandhaus” në Köln të Gjermanisë. Mbrëmja, e cila do të zërë vend më datën 25 të muajt mars, do të shërbejë për promovimin e kulturës shqiptare.

E organizuar nga shoqata “Uracult” në Gjermani - e cila është themeluar në vitin 2014 në Köln - kjo mbrëmje do të jetë projekti i radhës duke shpalosur një program të pasur për të pranishmit. Ky projekt është titulluar “Uracult Classics” dhe përveç ekspozitës koncerti do të jetë i ndarë në dy pjesë.

E njohur si protagoniste e shumë operave të njohura, këngëtarja shqiptare Flaka Goranci do të shpalosë një repertor me arie nga opera të ndryshme. Vepra të Lisztit dhe Thalberinit janë në programin e pjesës së parë të koncertit, përderisa në pjesën e dytë Goranci do të ngjitet në skenë për të interpretuar këngë nga albumi i saj “Albanian Flowers”. Mysafir special i mbrëmjes do të jetë Gramoz Goranci, i cili me tingujt e harmonikës do ta pasurojë edhe më shumë këtë mbrëmje. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.