JETA

Bujtina e çiftit Nikqi në mes të Bjeshkëve të Rugovës

Edicioni i radhës i emisionit “JETA” sjell bukuritë e Rekës së Allagës në Bjeshkët e Rugovës.

Ekipi ka qëndruar atje gjatë një dite, ku ka pasur mundësinë që, pos pamjeve piktoreske, të shijojë edhe ushqimet tradicionale të përgatitura në një prej bujtinave me traditë 16-vjeçare.

Rugova që nga viti 2013 është shpallur Park Kombëtar.

Ajo përbën një nga pikat më turistike në Kosovë, të cilën e vizitojnë vendës e turistë të huaj.

Reka e Allagës është një nga vendet atraktive që ndodhet në mes të këtyre bjeshkëve, që bashkon tri pika kufitare: Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Çifti Nikqi e pritën ekipin e emisionit “JETA” për t’iu treguar më shumë nga përditshmëria e tyre, ku presin mysafirë kryesisht ndërkombëtarë.

“Ne vendasit nuk ia kemi ditur sa duhet vlerën këtij vendi, sepse kemi qenë popull i vuajtur. Të më thoshte dikush para 15 ose 16 vjetësh se do të kishte vizita kaq shumë nuk e kisha menduar asnjëherë”, thotë Mustafë Nikqi, pronar i bujtinës.

Të huajt tek ata lënë përshtypje të rrallë. Thonë se është e veçantë të shohin lidhjen që kanë prej vitesh me natyrën e me ushqimet tradicionale të Rugovës.