INTERAKTIV

Kollçaku: Pala kosovare prej 2011-s ka dështuar në dialog

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçaku-Mulhaxha, ka thënë se pala kosovare ka dështuar në dialog, çka sipas saj e kanë vënë Serbinë në pozitë shumë më të favorshme.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut çfarë ka qenë deri tash dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura ndër vite do të rishqyrtohen.

“Ka shumë dështime që kanë ndodhur nga pala kosovare që nga kur kanë filluar, nga viti 2011. Thjesht shumë dështime, fillimisht dëshmohet sepse i kishim të gjitha dëshmitë në anën tonë, lufta çlirimtare e jonë, përkundër faktit që kemi pasur agresion jo vetëm në Kosovë por edhe në pjesë të ish-Jugosllavisë. Dështimet që i kemi bërë ne në ndërkohë e kanë vendosur Serbinë në pozitë shumë më të favorshme se do të duhej të ishte sot karshi nesh”, ka thënë ajo.

Mulhaxha-Kollçaku ka shtuar se pozita e Kosovës karshi Serbisë do të ishte shumë më ndryshe sikur zëri i Kosovës të ishte më ndryshe në dokumentimin e krimit të kryer nga forcat serbe.

Ajo tha se ka vullnet nga pala kosovare që ky proces të përfundojë me një zgjidhje, por jo që Kosova të jetë në pozitë inferiore.