Premtimi i kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, se që nga viti i ardhshëm në kryeqytet do të funksionojë një linjë tramvaji ka nxitur reagime të shumta. Megjithatë, ky projekt do të duhej të ishte realizuar që nga viti 2012.
Sipas Planit Zhvillimor Urban të Prishtinës 2012–2022, tramvaji ishte parashikuar si një mjet për të lehtësuar trafikun brenda qytetit.
Kjo do të thotë se premtimin e Ramës se në vitin 2026 do të ketë tramvaj në kryeqytet do të duhej ta kishin përfunduar kryetarët që ishin në tre mandatet e fundit, përfshirë edhe Ramën, i cili është aktualisht në krye të kryeqytetit.
Për më tepër, tramvaji është gjithashtu pjesë e Planit të Mobilitetit të Qytetit.
Sipas ilustrimit në video të Ramës, linja e tramvajit elektrik vitin e ardhshëm do të fillojë nga stacioni i trenit në Fushë-Kosovë, për të vazhduar në zonën industriale, te rrethi në hyrje të Prishtinës, më pas në rrugën “Bill Clinton” e te Mensa e Studentëve, për të vazhduar pranë shkollës “Ismail Qemali” me pikë të fundit rrethin te “Maxi24”.
