Tetë kandidatë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë probleme me ligjin, sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për integritetin e kandidatëve.
Sipas raportit, tre kandidatë për kryetarë komunash që kanë probleme me ligjin janë kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa një është i Lëvizjes Vetëvendosje. Tre kandidatë janë nga iniciativat qytetare Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia dhe një është kandidat i pavarur.
Sipas të dhënave, nga 206 kandidatët kjo nënkupton se 3.9 për qind e tyre kanë probleme me ligjin. IKD-ja ka identifikuar katër kandidatë që kanë aktakuza aktive. Ata janë të dënuar nga gjykatat e shkallës së parë, një është në rigjykim, për dy nuk është përpiluar ende vendimi e për një tjetër rasti po trajtohet nga Apeli.
Në këtë listë hyjnë Erden Atiq, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicë të Veriut. Ai është dënuar në shkallë të parë për “asgjësim, dëmtim ose heqje të instalimeve publike”. Rasti është në Gjykatën e Apelit, ndërsa aktakuza i ishte ngritur më 2017.
Në shkallë të parë është dënuar edhe Sami Lushtaku i PDK-së, kandidat për kryetar të Skenderajt. Rasti është në rigjykim. Vepra për të cilën është dënuar është “krim i organizuar lidhur me veprën penale pengim i të aprovuarit apo procedurës zyrtare”. Aktakuza ishte ngritur më 2016. Lushtaku hyn edhe te lista e kandidatëve me vendim të formës së prerë.
Të dënuar në shkallë të parë, por që ende nuk u është përpiluar aktgjykimi janë edhe Shukri Buja, kandidat i PDK-së për Lipjan, dhe Shkumbin Demalija i Iniciativës Demokracia në Deçan. Të dy janë dënuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në aktakuzën e ngritur më 2018.
Ndërkaq janë pesë kandidatë që kanë pasur dënime penale të formës së prerë. Aty hyn edhe Sami Lushtaku, i dënuar për kanosje më 2021. Ai ishte gjobitur me 2000 euro. Me gjoba 1700 euro dhe 12 mijë euro ai ishte dënuar edhe më 2019 e 2020 për “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “arratisje e personit të privuar nga liria”.
Lista përbëhet edhe nga Arbër Emini si kandidat i pavarur për Kllokot që ishte dënuar më 2023 me gjobë 200 euro dhe 9 muaj burgim me kusht për “mashtrim”.
Sokol Bashota i PDK-së, kandidat për kryetar të Klinës, ishte dënuar më 2021 për “mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare”.
Srecko Spariq i Srpska Narodna Sloga në Kllokot ishte dënuar më 2017 për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” me 10 muaj burgim me kusht.
6 muaj burgim që i ishte zëvendësuar me gjobë 1500 euro ishte dënimi i Zafir Berishës së Bashkimit Demokratik të Prizrenit më 2014 për “sulm ndaj personit zyrtar”. Ai ishte dënuar edhe me 140 euro gjobë për “heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave” një vit më pas.

Pra kandidatët që kanë probleme me ligjin garojnë në shtatë komuna. Kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.
“IKD ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptim që personat të cilët kanë probleme me ligjin, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike. Problemet me ligjin konsistojnë qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Në krahasim me zgjedhjet e para katër vjetëve, ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Progres poashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike.
Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë.
