Programin e strukturuar në shtatë shtylla e ka shpalosur në Mitrovicë kandidati i PDK-së, Arian Tahiri. Në Prishtinë, Uran Ismaili ka premtuar zgjidhje për trafikun brenda 18 muajsh, ndërsa në Rahovec, Edon Cana ka prezantuar vizionin e tij për turizmin rural me investime 15-milionëshe. Listë me disa premtime ka publikuar edhe kandidati i Gjilanit nga ky subjekt, Riad Rashiti
Ka prezantuar programin e tij për Mitrovicën, nënkryetari e kandidati për kryetar, Arian Tahiri. Ai ka thënë se ky program mbështetet në shtatë shtylla - Mitrovica në Lëvizje, Mitrovica që Edukon, Mitrovica e Shëndetit dhe Pastërtisë, Mitrovica e Zhvilluar, Mitrovica Digjitale, Mitrovica që Kujdeset dhe Mbron, dhe e fundit, Mitrovica e Kulturës dhe e Sportit.
Në kuadër të shtyllës së parë që përfshin problemet e infrastrukturës rrugore e trafikut, Tahiri ka dhënë një varg premtimesh, përfshirë krijimin e zonave të reja për parking, nënkalim në magjistralen e Adriatikut e ndriçim publik në të gjitha lagjet e fshatrat e Mitrovicës.
“Asfaltimin e të gjitha rrugëve urbane dhe rurale, përfshirë Shalën e Bajgorës, ndërtimin e unazës së brendshme në qendër të qytetit, për ta lehtësuar komunikacionin, ndërtimin e parkingjeve publike në tri lokacione në qendër, për 2500 për vetura”.
Në kuadër të pikës së dytë, Tahiri ka premtuar ndërtimin e pesë çerdheve të reja, renovim të shkollave, angazhimin e asistentëve dhe psikologëve.
Në kuadër të pikës Mitrovica e Shëndetit dhe Pastërtisë, Tahiri premtoi rritje të stafit shëndetësor, pajisje të reja, furnizim me barna. Po ashtu ka premtuar investime përgjatë lumenjve të Mitrovicës dhe mbjelljen e 20 mijë drunjve brenda katër vjetëve.
Në kuadër të pikës Mitrovica e Zhvilluar, Tahiri ndër të tjera, ka planifikuar ndërtimin e një inkubatori për biznese të reja dhe start-up-e, që përfshin lëshim me qira të lira të lokaleve e mbështetje juridike e financiare për këto nisma ndërmarrësie. Gjithashtu në kuadër të kësaj pike hyn edhe mbështetja për bujqit me mjete financiare, pajisje pune, teknologji, ekspertizë dhe ndërtim të qendrave për grumbullim të qumështit, frutave, perimeve etj.
Në kuadër të shtyllës “Mitrovica Digjitale”, Tahiri ka paraparë krijimin e një platforme për monitorimin e projekteve në kohë reale. Ndërsa me “Mitrovica që Kujdeset dhe Mbron”, ai parasheh ndërtimin e shtëpisë së të moshuarve, përmirësimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara dhe subvencionim për të porsalindurit.
“Komuna do të ofrojë edhe subvencion prej 500 eurove për çdo fëmijë të porsalindur. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjeve dhe një nxitje për rritjen e natalitetit në komunën tonë”.
E në kuadër të pikës së fundit, Tahiri ka prezantuar planin e tij për kulturën dhe sportin, ku përfshihen përkrahja dhe organizimi i festivaleve, ekspozitave, krijimin e hapësirave për ekspozim dhe shfaqje, mbrojtje të objekteve të trashëgimisë. E në sport, Tahiri tha se subvencionimin e klubeve do ta lidhë me përfshirjen e fëmijëve nga mosha 5-15 vjeç.
Zgjidhjen e problemit të trafikut në Prishtinë, brenda 18 muajsh, e ka premtuar kandidati i PDK-së për kryetar të komunës, Uran Ismaili.
“Ne do të rrisim numrin e semaforëve nga 20 sa janë aktualisht, në 80. Vendosja e 60 semaforëve shtesë nuk ka për qëllim të rrisë kohën e pritjes së shoferëve, përkundrazi, bashkë me krijimin e Qendrës së Menaxhimit të Trafikut do të sigurojë lëvizje më të shpejtë e më të rregullt. Për herë të parë Prishtina do të ketë një qendër të tillë që monitoron në kohë reale kushtet e trafikut dhe reagon menjëherë në rast të bllokimeve apo aksidenteve”, ka thënë Ismaili.
Në Gjilan, kandidati i PDK-së, Riad Rashiti, ka prezantuar planin e tij për mirëqenie sociale, ku, ndër të tjera, ka premtuar mbështetje për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Funksionalizimi i ‘Fshatit të Lumtur’; Subvencionimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara (nën 18 vjet) 100 euro çdo muaj; Mbështetje financiare 200 euro çdo muaj për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara nën 18 vjet; Krijimi i fondit emergjent për nevojat e papritura të rasteve nën menaxhim nga QPS; Sigurimi i pajisjeve shkollore, veshmbathjeve etj, për fëmijët e familjeve përfituese të asistencës; Subvencionim i familjeve strehuese dhe nënave vetushqyese; Rritje e fondit për mbështetje me pako ushqimore për përfitues të asistencës sociale; Subvencionimi i punësimit të personave me aftësi të kufizuara; Qasja në informacion për personat e shurdhër; Forcimi i bashkëpunimit qendër për punë sociale-prind-kujdestar-shkollë; Krijimi i task-forcave profesionale për ndihmë psiko-sociale për fëmijët në konflikt me ligjin e përdoruesit e substancave psiko-aktive; Vëmendje e ndihmë institucionale e përhershme për viktimat e trafikimit, krimeve seksuale, dhunës në familje, të moshuarve pa përkujdesje dhe kategorive të tjera në gjendje të nevojës sociale; Ndërtimi i shkollës burimore regjionale”, ka thënë Rashiti.
Ndërtimin e “Rrugës së Verës” e ka premtuar kandidati i PDK-së për Rahovecin, Edon Cana, në kuadër të planit të tij për turizëm rural.
“Ky vizion do ta bëjë Rahovecin motor të zhvillimit ekonomik dhe qendër të agroturizmit në Kosovë, me: Investime prej 15 milion € për turizëm rural në 10 vjetët e ardhshëm nga komuna; Rrugën e Verës si bosht kryesor për vizitorët dhe zhvillimin e agroturizmit; Rigjenerim urban të qytetit të vjetër dhe investime në pikat kryesore turistike e kulturore; Modernizim të bujqësisë me ujitje, infrastrukturë moderne dhe përpunim të produkteve; Lidhje direkte me autostradën për transport e logjistikë më të lehtë; Mbështetje për kooperativa bujqësore dhe treg të përhershëm për prodhime vendore”, ka deklaruar Cana.
Në Ferizaj, kryetari Agim Aliu, njëherësh kandidat për një mandat të ri, ka njoftuar për fillimin e asfaltimit të rrugës që lidh fshatin Surqinë me Prelezin e Muhaxherëve.
“Nisi asfaltimi i rrugës kryesore të fshatit Surqinë, arterie rrugore 2-kilometërshe që zhvillon të gjithë zonën dhe lehtëson qarkullimin e banorëve, duke lidhur këtë fshat edhe me Prelezin e Muhaxherëve”, ka thënë Aliu.
Në Prizren, kryetari aktual, Shaqir Totaj, që garon për mandatin e dytë, ka thënë se ka nisur asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave në lagjen “Kurilla”.
