Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, e cila është gruaja e parë që ia mësyn udhëheqjes së kryeqytetit, thotë se koalicion me partitë e tjera do të bëjë vetëm nëse del forca e parë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Shahini, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se arsimi cilësor e banimi i përballueshëm për prishtinasit janë dy prioritetet kryesore që i ka vendosur në këtë fushatë zgjedhore.
“Një nga masat që ne do t'i ndërmarrim është ta zgjerojmë trafikun urban, mbulueshmërinë dhe mbulueshmëria, patjetër që duhen edhe autobusë të tjerë dhe të rinj dhe të zëvendësohen këta që janë të kontraktuar privatë, të cilët janë ndoshta edhe në gjendje jo shumë të mirë, por një pjesë e madhe e lagjeve në Prishtinë i kanë rrugët shumë të ngushta dhe aty nuk mundet me kalu autobusi. Çka po propozojmë ne është që të blihen minibusë... 17\00 Një departamenti i posaçëm i Trafikut Urban do të themelohet, që bën transportin shkollor me minibusë, që janë të sigurt, ku secili fëmijë e ka edhe rripin e sigurisë, në mënyrë që mos t'i kemi tridhjetë vetura në trafik për t'i dërguar tridhjetë fëmijë në shkollë, por e ke një minibus që i mbledh fëmijët e lagjes dhe i çon deri te shkolla”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kryetari aktual, Përparim Rama, ka dështuar të përmbushë premtimet e dhëna dhe ka lënë pas vetes kaos.