Zgjedhjet lokale

Selmanaj premton krijimin e NPK “Prizren Parking”, Surdulli kërkon votën e diasporës

dRITON sELMANAJ

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti, fushatën e ka vazhduar me lajmin për nisjen e asfaltimit të rrugës nga fshati Dobratin deri në qendër të Sllovisë. Ai tha se ky projekt do të lehtësojë qarkullimin e veturave dhe do të përmirësojë infrastrukturën.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka premtuar krijimin e ndërmarrjes publike komunale “Prizren Parking” dhe digjitalizimin e plotë të shërbimeve komunale. Sipas tij, kjo do t’i mundësojë komunës të jetë shembull i transparencës dhe efikasitetit.

Në kuadër të fushatës kandidati për kryetar të Shtimes, Kastriot Shabani, ka vizituar disa kultura bujqësore të kompanive vendore. Ai tha se çdo shpenzim brenda Shtimes është investim”.

Në Viti kandidati Sokol Haliti ka vizituar shtabin zgjedhor të Forumit të Gruas së LDK-së. Haliti tha se energjia dhe përkushtimi i tyre janë shembull i qartë se LDK-ja, sipas tij, ka forcën dhe vizionin për të ecur përpara.

Vizitë nëpër kompani të biznesit zhvilloi edhe kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli. Ai tha se Gjilani ka njerëz punëtorë e vizionarë, të cilët me bizneset e tyre, sipas tij, kontribuojnë në ekonominë e qytetit.

E kandidati për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, të hënën ka kërkuar votën e diasporës.

“Zëri dhe vota juaj janë vendimtare për të ardhmen e komunave tona dhe për zhvillimin e vendit. Ju ftojmë me respekt që ta ushtroni të drejtën tuaj kushtetuese për të votuar me postë. Pjesëmarrja juaj në këto zgjedhje është dëshmi e lidhjes së fortë që e ruani me vendlindjen. Dhe e përkushtimit për të kontribuuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Çdo votë nga diaspora ka peshë të madhe. Me angazhimin dhe pjesëmarrjen tuaj fuqizohet demokracia dhe rritet përgjegjësia e institucioneve lokale ndaj qytetarëve”, ka thënë Surdulli.