Bashkim Ramosaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëjherit kryetari i Komunës së Deçanit, po synon që edhe për katër vjet e ardhshme të udhëheqë me këtë komunë.
Për mandatin e tretë Ramosaj ka vënë në strategjinë e tij “një zhvillim të hovshëm, e një turizëm modern”.
Ramosaj në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar çelësin e suksesit se si mund të marrësh besimin e qytetarëve.
“Unë jam në fund të mandatit të dytë si kryetar i Komunës së Deçanit, me qenë i suksesshëm duhet me qenë serioz në punë, me pasur përkushtim dhe ide të qarta. Duhet me përballë tema të cilat janë sfiduese për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe duhet me qenë i përkushtuar çdo ditë për të arritur objektivat. Kemi jap një pamje më të qartë që është shumë e rëndësishme për neve, më herët nuk është kuptuar se po hyjmë në një qytet, kemi bërë zgjidhje të duhura që çdokush që vjen në Deçan, ka përshtypje që po hyn në qytet që po shkon drejt zhvillimit të hovshëm”, tha ai.
Ramosaj premton revolucion zhvillimor në dy vjetët e ardhshme dhe thekson bashkëpunimin e ngushtë me institucionet qendrore për zgjidhjen e çështjeve juridike të pronave.
“Mund të garantoj që neve na ec mbarë dhe kemi mirëkuptimin prej institucioneve qendrore që sa më shpejt të kalohen këto prona në aspektin juridik, brenda dy viteve Deçani do të bëjë revolucionin e madh të zhvillimit të hovshëm, të harmonizuar dhe me standardet që i kërkon koha. Jemi në kohën për të bërë gjëra të qëndrueshme. Kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë në këtë qytet, përgjatë gjithë jetës sime nuk e kam ofenduar askënd, jemi ndër familjet më të mëdha të komunës dhe nuk kemi bërë ndonjë skandal. Ajo çka është e rëndësishme që kam qenë tepër aktiv”, ka theksuar ai.
