Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës ka shpalosur projektin për fshatin olimpik, e ai për Prizrenin, për transformimin e dy lagjeve ikonike në qytet. Në Podujevë kandidati Ekrem Hyseni ka thënë se para se të flitet për zhvillim, qytetit duhet t’i kthehet normaliteti. Kandidati Gëzim Plakolli ka premtuar mbështetje për sportistët e Mitrovicës, e në Prizren kandidati Driton Selmanaj synon transformimin e lagjeve "Nënkalaja" dhe "Kurilla". Sipas tij, projekti ka për qëllim që qytetit t’i rikthehet identiteti arkitektonik tradicional
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për një tjetër mandat, Përparim Rama, ka prezantuar projektin për ndërtimin e fshatit olimpik, që do të shërbejë për Lojërat Mesdhetare më 2030.
Projekti do të shtrihet në 60 hektarë dhe do të përfshijë stadiumin kryesor, si dhe hapësira për disiplina të tjera sportive.
“Një projekt 60 hektarësh që synon të bëhet zemra e sportit në Kosovë dhe Ballkan. Nga stadiumi kryesor, deri te hapësirat për basketboll, tenis, not, arte marciale e sporte luftarake çdo disiplinë gjen vendin e saj. Një lagje e qëndrueshme dhe e aksesueshme, me lëvizje të lehtësuara për këmbësorë e biçikleta. Jo vetëm qendër sportive, por edhe një qendër të përditshme komunitare, për aktivitete, rekreacion dhe bashkëjetesë sociale”, ka thënë Rama.
E kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, në tubimin e mbajtur në fshatin Bajçinë, ka thënë se Podujeva fillimisht ka nevojë për kthim në normalitet e më pas për zhvillim.
“Flakë atmosfera që e përçon mesazhin e fitores. Do të fillojmë me kthim në normalitet dhe pas kthimit në normalitet vazhdojmë me zhvillim”, ka deklaruar Hyseni.
Gëzim Plakolli ka vizituar klubin e xhudos dhe të karatesë në Mitrovicë, duke premtuar mbështetje për sportistët.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se Mitrovica ka talent, disiplinë dhe vullnet për fitore, duke na bërë krenarë në çdo garë ku përfaqësojnë qytetin dhe shtetin tonë. Me LDK-në sporti do të ketë mbështetjen që meriton, sepse fuqia dhe frymëzimi i rinisë janë garanci për një Mitrovicë më të shëndetshme e më të suksesshme”, ka thënë ai.
Në Vushtrri, Xhafer Tahiri, që synon kthimin në qeverisje, ka prezantuar planin për transformimin e hapësirave publike. Ai ka thënë se zona tek ambulanca e vjetër, përballë muzeut, do të bëhet park për fëmijët.
“Kemi me ndërtu një rreth, kemi me trajtu lumin Tërstena, kemi me përfundu projektin e lumit Tërstena deri në fund dhe me largu kundërmimin e kanalizimit. Kjo hapësirë do të shndërrohet në një park ku fëmijët e Vushtrrisë dhe të kësaj zone do të kenë hapësirë për të kaluar kohën e tyre të lirë. Për 9 muaj do të hartojmë projektin, do të lidhim kontratën e krejt projektin kemi me përfundu brenda 3 viteve të mandatit tonë”, ka thënë Tahiri.
Ruzhdi Shehu, i cili synon edhe një mandat në krye të Junikut, ka premtuar se për pak ditë do të përfundojë asfaltimi i të gjitha rrugëve në komunë.
“Projekti i filluar për asfaltimin e pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave, tanimë ka arritur në fazën përfundimtare. Gjatë ditëve në vijim do të përfundohen edhe rrugët e mbetura dhe përfundimisht në Junik të gjitha rrugët lokale dhe rrugicat do të jenë të asfaltuara. Këto punë ka qenë dashur të realizoheshin para më shumë se 12 vjetëve kur dikush tjetër ka qenë në pushtet. Megjithatë gjatë mandatit tonë të parë e realizuam edhe këtë projekt mjaft të rëndësishëm për junikasit”, ka thënë Shehu.
Në Prizren, Driton Selmanaj ka prezantuar projektin për transformimin e lagjeve "Nënkalaja" dhe "Kurilla". Sipas tij, projekti i quajtur “Lagjet model” synon që këto dy zona të kthehen në pika turistike dhe funksionale për qytetarët.
“Do të kemi ndriçim në publik të njëjtë, ulëset e njëjta, fasadat e njëjta, dyer dhe dritare të njëjta, pullaze të njëjta, për këtë do të subvencionojmë ne si komunë, në mënyrë që kësaj pjese të qytetit t’i rikthehen vlera dhe identiteti arkitektonik i Prizrenit tradicional. Prizreni është përtej shatërvanit, Prizreni është përtej kalasë dhe prandaj edhe “Kurrilla”, si një lagje me histori të veçantë, do të kthehen në një atraksion, i cili mund të absorbojë turistë të huaj dhe normalisht që do të bëhet edhe me infrastrukturën e saj edhe shumë funksionale dhe shumë praktike për njerëz që jetojnë në këtë lagje” ka deklaruar Selmanaj.
Nëse merr besimin e qytetarëve në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli ka premtuar se ekonomia do të jetë në qendër të qeverisjes komunale.
