Zgjedhjet lokale

Raka akuzon Vishin se asfaltoi rrugë në këmbim të votave

Kandidati për kryetar i Komunës së Kaçanikut nga LVV, Jeton Raka, e ka akuzuar kundërkandidatin e tij nga PDK, Sabedin Vishi, se ka marrë vota nga qytetarët duke u premtuar vende pune e asfaltuar rrugë. 

Raka në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ka shtuar se Kaçanikun e ka përcjellë keqqeverisja për 20 vjet, derisa këtë komunë e ka vlerësuar nga më të varfrat dhe të pazhvilluarat në Kosovë. 

“Për shkak të presionit, shantazheve, kushtëzimeve, mënyrave të tyre që i përdorin, në veçanti gjatë javës së fundit, mjeteve financiare, votimit me asistencë, konkurseve të shumta, asfaltimit që është bë edhe ditën e zgjedhjeve. Asfaltimi është bë edhe nëpër rrugë private, oborre në fushatë në këmbim të votave. Ka kanalizime që janë filluar, ndriçim, konkurse të shumta me të cilët i kanë kushtëzuar vazhdimisht qytetarët në këmbim të votës. Kanë shkuar deri aty saqë i kanë shti me u betu”, ka thënë Raka. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Vishi ishte i pari me 39.61%, kurse Raka i dyti me 37.94%

Vishi – Rakës: Çfarë ke bërë për Kaçanikun si zëvendësministër?

1 o. më parë / 5 nën 2025 21:39
vishi

Kandidati i PDK-së për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka mbështetur këtë komunë në investimet kapitale, ndryshe prej qeverive të kaluara.

Ai e ka pyetur kundërkandidatin e VV-së, Jeton Raka, se çfarë ka bërë sa ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Te ne ndoshta zgjaten punët, por me rëndësi që punohen. Ndërsa, le të na thotë kundërkandidati çka ka punuar për Kaçanik përkundër që ka qenë zëvendësministër”, ka pyetur Vishi.

E, Raka i është përgjigjur se përgjegjësia për punët e pakryera në komunë duhet të kërkohet dhe jepet nga ata që e kanë mbajtur pushtetin deri tash.

“Punën time edhe në ministri edhe në drejtimin e LVV në Kaçanik e kanë pa, kështu që më 9 nëntor le ta vendosin”, ka thënë Raka.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Vishi ishte i pari me 39.61%, kurse Raka i dyti me 37.94%