Zgjedhjet lokale

Qeriqi premton nënkalim në Lipjan e Mehani kritikon qeverisjen në Skenderaj

Hysni Mehani

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqi, është zotuar për ndërtimin e një nënkalimi në rrugën “Sadik Shala” në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor. 

Në një postim në rrjetet sociale, të dielën, Qeriqi ka prezantuar projektin, duke e cilësuar atë si një zgjidhje funksionale që lidh rrugët kryesore të qytetit, lehtëson qarkullimin dhe kontribuon në rritjen e sigurisë rrugore.

“Ky është plani i nënkalimit në rrugën ‘Sadik Shala’ në Lipjan, ku parashihet ndërtimi i këtij nënkalimi modern për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Ky projekt do të reduktojë ndjeshëm ngarkesën e trafikut dhe do të sjellë një transformim estetik për qytetin, duke i dhënë Lipjanit një pamje më moderne dhe të rregulluar”, ka shkruar Qeriqi.

Në Skenderaj, kandidati për kryetar komune nga kjo parti, Hysni Mehani, ka adresuar kritika ndaj pushtetit aktual për, siç ka thënë, mungesë të investimeve në hapësirat publike.

“Gjatë gjithë mandatit të tyre kanë vendosur vetëm dy lodra – ato pranë gjykatës – dhe asnjë tjetër. Fëmijët dëshirojnë të dalin çdo ditë, por çfarë të bëjë një prind që është në ndihmë sociale? Ka disa probleme të vogla që mund të zgjidhen shumë lehtë, por ata nuk duan. Nuk duan që fëmijët të shkojnë në parkun e qytetit pa pagesë, por i çojnë në parqe private që u sjellin fitim biznesmenëve. Nuk po i shfrytëzojnë pronat publike për interes të qytetarëve, por për ndërtime private”, ka thënë Mehani.

E në Han të Elezit, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar fushatën duke ua kujtuar qytetarëve investimet që sipas tij janë bërë në këtë komunë. Ai ka përmendur parkun “Isa Berisha”, asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Imri Curri”, rregullimin e parkut përgjatë lumit Lepenc, si dhe rikthimin e terminalit doganor në pronësi të shtetit.
Për dështimin e projekteve të tjera, Kurti ka kritikuar qeverisjen aktuale për mosbashkëpunim. Ai po ashtu ka shpallur mbështetjen e Vetëvendosjes për kandidatin e pavarur për kryetar, Rufki Suma. 
Në Podujevë, kryetari aktual i komunës, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar këtë qytet ndër më të pastrit dhe më të rregulluarit.

Kandidati për kryetar komune në Junik, Jetmir Tofaj, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, gjatë ditës së diel vizituan hapësirat sportive ku stërviten të rinjtë e Junikut. Gjatë vizitës, Tofaj kritikoi ashpër qeverisjen aktuale të kryetarit Ruzhdi Shehu (LDK), duke theksuar se premtimet e dhëna për ndërtimin e stadiumit dhe palestrës nuk janë realizuar.

“Qeverisja aktuale premtoi stadium dhe palestër, por asnjëra nga këto nuk është përfunduar. Ne zotohemi që me ardhjen tonë në krye të komunës do ta rikthejmë krenarinë e klubit të futbollit, do të krijojmë kushte të denja për klubin tonë të suksesshëm të ping-pongut dhe do të ndërtojmë një hapësirë të mirëfilltë për boksin sport në të cilin Juniku ka shkëlqyer me emra si Luan e Haxhi Krasniqi, dhe me talentët e rinj që po rriten brenda e jashtë vendit. Ashtu si Peja është bërë qytet i xhudos, Juniku do të bëhet qytet i boksit, futbollit, ping-pongut dhe sportit në përgjithësi, aty ku rinia jonë gjen motivim, disiplinë dhe krenari”, u shpreh Tofaj.

Mbështetjen e tij për klubet e futbollit e shprehu edhe Valon Hoti, kandidat për kryetar komune në Malishevë, i cili vizitoi klubin e futbollit Malisheva. Ai theksoi se Malisheva është simbol i sportit në këtë qytet, krenari e tifozëve dhe frymëzim për gjeneratat e reja.

Hoti premtoi se, nëse del fitues në zgjedhjet e 12 tetorit, do t’u ofrojë mbështetje institucionale të fuqishme këtij klubi dhe të gjithë të tjerëve, duke u angazhuar për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportit në komunë.

 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e nëntë e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së nëntë të fushatës...