Zgjedhjet lokale

Qëndron Kastrati synon rikthimin në krye të Kamenicës

Qendron Kastrati

Qëndron Kastrati ka shpallur kandidaturën për kryetar të Komunës së Kamenicës, katër vjet pasi e humbi garën përballë Kadri Rahimajt të Vetëvendosjes.

Në një njoftim në Facebook për shpalljen e kandidaturës, Kastrati që garon me Partinë Socialdemokrate ka thënë se është i bindur që mund t’ia rikthejë Kamenicës “jo vetëm zhvillimin, por edhe dinjitetin”.

“Nga Kika e Hogoshtit fillon historia, te njerëzit e Kamenicës merr kuptim. Malësia e bukur me fshatrat e saj të veçanta, qyteti ynë simpatik dhe mbi të gjitha njerëzit e mirë e të dashur janë arsyeja pse po rikthehem të garoj për Kamenicën”, ka thënë Kastrati.

Ai ka thënë se lista e PSD-së për asamble në këtë komunë garanton “ndershmëri, përkushtim e sinqeritet”.

“Rikthimi im është më shumë se një hap politik. Rikthimi im është rikthimi i besimit se secili trajtohet me dinjitet, se mund të punohet pa dallime dhe me drejtësi. Është rikthimi i meritës, transparencës, investimeve dhe vëmendjes pozitive. Ky rikthim është kthimi i institucioneve te qytetari, jo si vegël e pushtetit por si shërbim për të gjithë”, ka shtuar Kastrati.

Për këtë kohë, Kastrati ka thënë se ka investuar në zhvillimin e tij profesional.

Gjatë viteve të fundit kam investuar në zhvillimin tim personal e profesional dhe kam përfunduar studimet e nivelit master në Londër, në drejtimin “Politika e Klimës, Inovacionit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Ky ishte një hap i rëndësishëm, sepse përvoja në qeverisje më ka dhënë praktikën, ndërsa studimet më kanë dhënë vizionin. Sot i kuptoj edhe më qartë nevojat e një komuniteti: si ndërtohet zhvillimi, cilat boshllëqe duhen mbushur dhe cilat mundësi duhet kapur”, ka shkruar ai.

Kastrati në mandatin e shkuar si kryetar i Kamenicës pati nisur një riorganizim të shkollave në këtë komunë, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore. Por pas ankesave nga prindërit, Ministria pati vendosur për mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të kësaj komune. E vendimi i Ministrisë së Arsimit ishte hedhur poshtë në prill të 2022-s nga Gjykata Kushtetuese, duke vendosur se ishte tejkalim i kompetencave.

Kastrati pati humbur në balotazh nga Rahimaj i VV-së.