24 mijë e 400 euro gjoba ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ankesat që ka pranuar ditëve të fundit. PZAP-ja ka konstatuar shkelje nga subjektet politike të rregullave zgjedhore për gjuhën që është përdorur e për përdorimin e hapësirave publike për të bërë fushatë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar me 15 mijë e 500 euro kandidatin e Iniciativës Qytetare për Skenderaj, Sokol Halili, shkaku i gjuhës që ka përdorur ndaj kandidatit të PDK-së, Sami Lushtaku.
Sipas dy ankesave që ka dorëzuar PDK-ja ndaj Halilit, ai në rrjetet sociale ka publikuar videoshkrime, në të cilat, mes tjerash, ka përdorur shprehjet si “kriminel”, “terrorist”, “tiran” e “shok i Milan Radoiçiqit”.
“Sipas vlerësimit të panelit, rregullat që rregullojnë fushatën zgjedhore kërkojnë nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse. Përdorimi i kësaj gjuhe nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj, përkatësisht kandidati Sokol Halili, sipas Panelit, është shkelje e etikës zgjedhore dhe e standardeve të sjelljes në fushatë zgjedhore”, thuhet në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
PZAP-ja me 7 mijë e 600 euro ka dënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për sjelljen e kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.
Për Ramën, në PZAP, janë ankuar Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës në lidhje shfrytëzimin e hapësirave të institucioneve publike për të bërë fushatë. VV-ja është ankuar për mbajtjen e fjalimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
“Sipas vlerësimit të panelit konstatohet se kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të Komunës së Prishtinës, respektivisht foltoren e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u bën thirrje qytetarëve që më datën 12 tetor, pikërisht për ditën e votimit, të reflektojnë se për kë duhet të votojnë. Me qëllim të krijimit të një shumice në asamble, këtë deklarim e bën gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025, që të përfitojë vota, duke qenë në garë për një mandat për kryetar të Prishtinës”, thuhet në vendim.
Kurse PDK-ja është ankuar se Rama duke shfrytëzuar hapësirat e komunës ka paralajmëruar paraqitjen e tij në një emision televiziv.
“Sipas vlerësimit të panelit konstatohet se kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të Komunës së Prishtinës gjatë fushatës zgjedhore për përfitim të votave”.
PZAP-ja ka gjobitur me 800 euro edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e PDK-në me 500 euro, pasi kandidatë të tyre për asamble komunale kanë vendosur postera (baner) zgjedhorë në hapësirën e parkingut nëntokësor te nënkalimi në Ferizaj, i cili menaxhohet nga ndërmarrja publike N.P.L “Ambient”.
Ndërsa, është refuzuar si e pabazuar ankesa e VV-së ndaj subjektit politik “për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” në lidhje me gjuhën që Lladrovci ka përdorur ndaj kandidates së VV-së për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci.
Si të pasafatshme PZAP-ja e ka vlerësuar një ankesë të subjektit politik “për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” ndaj PDK-së në Drenas e një tjetër e ka refuzuar si të pabazuar.
Të pasafatshme PZAP-ja e ka vlerësuar edhe ankesën e Kushtrim Kadriut, kryetar i lëvizjes qytetare “Vatra” kundër VV-së në Gjilan.