Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, ka thënë se janë tri politika që duhet ndjekur për të ulur çmimin e banesave për blerje dhe qira në kryeqytet.
Ajo ka thënë se nëse fiton zgjedhjet më 12 tetor, do të synojë që Komuna të futet vetë në ndërtim.
Sipas saj, me futjen e Komunës në ndërtim, banesat do të shiteshin me çmim afër çmimit të ndërtimit (500-600 euro) dhe kjo do të ndikonte që mijëra familje të siguronin banim me çmim më të leverdishëm.
Tjetër premtim i saj në këtë pikë është që komuna ta rishikojë taksën e ndërtimtarëve dhe në këmbim të saj të marrë banesa e t’i përdorë për banim të përballueshëm.
“Taksa e moshsfrytëzimit”, sipas saj, është politikë tjetër e domosdoshme. Ajo ka premtuar iniciativë për ngritje të tatimit për banesat e pashfrytëzuara, në mënyrë që të nxisë futjen e tyre në treg për qira apo shitje. Sa më shumë banesa në treg, sipas saj, do të bënte që të ulej çmimi. Për këtë ka thënë se do të synojë nismë ligjore me peticion.
Premtim tjetër për banimin, nga Shahini, është ai që Komuna të veprojë proaktivsht për fletat poseduese të banesave dhe legalizim të tyre, e të mos presë kërkesat e qytetarëve.
