Kandidatja për kryetare të Komunës së Kamenicës nga radhët e PDK-së, Jona Arifi, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, e ka akuzuar kryetarin aktual dhe kandidatin për një mandat të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje Kadri Rahimajn, se po i lë në gjysmë projektet e nisura.
“Në Kamenicë vërtetë ka nevojë për një mendësi të re të qeverisjes. Nuk mund të flasim veç për asfalt, veç për probleme, veç për akuza kur në Kamenicë kemi arritur në atë mendësi që një qytetar e ka lënë shtëpinë tre katëshe dhe ka shkuar të jetoj në Prishtinë për shkak se nuk ka shkollë të baltetit. Çdo projekt që e ka fillu, nuk e ka përfundu. Jo vetëm projekte kapitale por për shembull, thotë një mbështetje për nënat pastaj e ndalon. Marr shumë mesazhe që thonë nuk po e marrë më atë mbështetje. Për projektet që i përmendi, ky duket se nuk po e di se çka është prioritare për qytetarët në Kamenicë.”, deklaroi kandidatja Arifi.
Sipas Arifit, në takime me qytetarë, kryetari Rahimaj nuk po e prezanton programin zgjedhor por po iu premton vende pune.
“Në Kamenicë gjithë kohës flitet që këta kur të shkojnë nëpër familje nuk flasin për program por premtojnë pozita të drejtorit, asfalte nëpër rrugë. Kjo është një ndër arsyet pse nuk e publikon listën e përfituesve të asfalteve, që t’ua premtoj çdo familjeje. Njejtë ka ndodhë edhe me pjesën e arsimit. Deri vonë nuk është duke i publiku listat e mësimdhënësve që janë pranu, që t’iu premtojë të gjithëve.”, ka akuzuar kandidatja e PDK-së.
