Dy subjekte politike serbe janë ankuar për ndikim te kandidatët e tyre nga anëtarët e Listës Serbe. Një anëtar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe një tjetër nga Lëvizja Kombëtare Serbe kanë mbajtur grevë urie treditore shkaku i largimit të tyre nga puna nga komunat paralele të Kamenicës. Ata kanë akuzuar për këtë vendim Listën Serbe dhe kryetarin e Komunës së Novobërdës nga kjo parti, Sasha Millosheviqin. Praktikën e presionit të Listës Serbe ndaj kundërshtarëve e kanë konstatuar drejtuesit e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare (2025) dhe atyre lokale të vitit 2021
Hyrja në garë për asamble komunale jashtë Listës Serbe iu ka kushtuar me largim nga puna Ivan Petroviqit dhe Ivan Ristiqit. Dy kandidatë serbë për asamble komunale në Ranillug, njëri i Lëvizjes Kombëtare Serbe (Srpski Narodni Pokret - SNP) e tjetri i subjektit politik për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (Za Slobodu, Pravdu i Opstanak), largimin nga puna nga komuna paralele e Kamenicës e kanë kundërshtuar me grevë treditore. Për përjashtimin e tyre nga puna ata e kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Novobërdës, i cili është kryetar i komunës paralele të Gjilanit, Sasha Millosheviq.
Pasi të shtunën ndërprenë grevën, kandidati i SNP-së, Ivan Petroviq ka thënë për KOHËN se rasti është paraqitur edhe në Policinë e Kosovës. Ai ka paralajmëruar protestë edhe në Serbi.
“Disa të punësuar jemi shkarkuar nga puna, sepse kemi kandiduar në listat e partive opozitare serbe dhe dy prej nesh kemi bërë grevë urie në Ranillug që zgjati tri ditë. Kërkesat tona për kthim në vend të punës dhe për të na dhënë pagat nuk janë plotësuar. Do të vazhdojmë me forma të tjera proteste. Do të protestojmë kudo që konsiderojmë se kërkesat tona duhet të përmbushen, tek institucionet në Beograd dhe në vende të tjera... Po kemi dhënë deklarata në polici para fillimit të grevës së urisë në stacionin policor në Ranillug”, tha Petroviq.
Në një përgjigje që ia ka dërguar portalit KoSSev, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar që të mos pengohet gara mes partive politike.
“Jemi të shqetësuar për çdo përpjekje për të kufizuar konkurrencën midis partive politike dhe për të penguar qytetarët e Kosovës të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Të gjithë qytetarët e Kosovës - pavarësisht nëse janë serbë, shqiptarë apo nga ndonjë grup tjetër - pavarësisht nga përkatësia politike, duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Serbe, Branimir Stojanoviq, thotë se krimi e shantazhi që bëhen në komunat me shumicë serbe janë anashkaluar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës.
“Ajo që e ka bërë Ivan Petroviqi, është që direkt ka treguar se kush, si e pse e kanë pushuar nga puna dhe është e mjaftueshme për këdo që do të punojë. E kush s’punon gjen arsyetime pse nuk e bën punën e tij. Ai ka qenë shumë konkret, ka thënë: unë jam ai që është përjashtuar nga puna për këtë dhe këtë arsye, ia ka treguar vendimin, që këta e këta njerëz e kanë bërë këtë. Ç’të bëjnë tjetër Ivani Petroviqi e njerëzit e tjerë si Ristiqi, do ta bëjnë të gjithë atë që është e mundshme. E se a do të bëjnë të tjerët diçka apo jo, kjo është pyetje për ta, nuk është pyetje për ne”, tha Stonajoviq.
Si në fjalimet e fushatës zgjedhore ai e ka akuzuar edhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se po përdor resurset shtetërore për promovimin e fushatës politike të kandidatëve nga subjekti i tij.
As kandidati për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, e as Lista Serbe nuk u janë përgjigjur akuzave të partive të tjera serbe se po u bëhet presion për largim nga gara.
Krahas Listës Serbe, KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe kryetarin e subjektit politik për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, por ai nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka dhënë as Prokuroria Themelore në Gjilan.
Ndikimi nga Serbia është identifikuar edhe në raportin më të fundit të BE-së për zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë raport thuhet se është raportuar për presion mbi votuesit, të cilët varen nga asistenca sociale dhe punësimi në organet e Serbisë.
Po ashtu edhe në raportin e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve komunale të 17 tetorit të vitit 2021 thuhet se në komunat e banuara më shumicë serbe, konkurrenca politike ka qenë e kufizuar.
“E kemi parë që Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës, madje ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe dhe aktivistë të tyre. Për fat të keq gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara në gara për kryetarë të komunave, financimi i fushatës nuk ishte transparent”, pati thënë shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, më 19 tetor të vitit 2021.
Presionin e Listës Serbe dhe aktivistëve të saj ndaj votuesve dhe subjekteve të tjera e ka përmendur po atë ditë edhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.