Shabani: Arsimi në Podujevë është i politizuar

4 o. më parë / 30 sht 2025 20:52
Isak Shabani

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Isak Shabani, ka akuzuar qeverisjet në këtë komunë për politizim të arsimit, duke thënë se kjo gjendje po zgjat prej dekadash.

“Qe 26 vjet ka politizim. Ka mësues që nuk guxojnë as me të përshëndet dhe ikin. Një drejtor i tij (Bulliqit) ma ka thirr vëllaun pse e ke prezantu një program kështu... Kritika ka qenë reale. A ka ma absurditet se me ardh me thënë pse po e bën faktor këtë”, deklaroi Shabani në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai premtoi se, nëse merr besimin e qytetarëve, do të depolitizojë plotësisht arsimin, duke theksuar se drejtuesit e shkollave do të përzgjidhen mbi bazën e meritës.

“Ai që e meriton, do të jetë drejtor”, u shpreh ai.

Shabani gjithashtu kritikoi gjendjen e shkollave në komunë, duke thënë se nuk plotësohen as kushtet elementare.

“Qysh mundet me fol për mësim gjithëditor, kur në shkolla mungojnë gjërat më elementare. Gjendja higjienike është e tmerrshme”, vijoi Shabani.

Hyseni sfidon Bulliqin: Nëse i ke ndërtuar 10 shkolla, tërhiqem nga gara

4 o. më parë / 30 sht 2025 20:47
Ekrem Hyseni

Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, e ka sfiduar kryetarin aktual Shpejtim Bulliqi, duke e akuzuar për mashtrim rreth projekteve shkollore.

Fillimisht në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Bulliqi u shpreh se gjatë mandatit të tij janë ndërtuar dhjetë objekte shkollore dhe pesë palestra sportive, ndërsa si drejtor i Arsimit në periudhën 2000–2007 kishte ndërtuar 22 shkolla.

“Ka qenë faza emergjente, s’ka qenë koha e çerdheve (asokohe). Tash është koha e tyre. Kam investuar në çdo shkollë. Do të vazhdoj edhe ndërtimin e shkollës së re në Dobërdol, në Llozhan e në Gërdoc. Do të ketë mësim gjithëditor që në vitin e parë në të gjitha shkollat”, deklaroi ai.

Por kjo u sfidua nga Hyseni.

“Nëse i ke bërë 10 shkolla unë e lëshoj studion edhe e la garën sot. Është mashtrim. Ky e ka mani keqpërdorimin”, ka shtuar ai.

Premtimi i Bulliqit për 13 çerdhe të reja nxit reagimin e kundërkandidatëve

4 o. më parë / 30 sht 2025 20:33
Shpejtim Bulliqi

Kryetari aktual dhe kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi, ka premtuar zgjerim më të madh të çerdheve në mandatin e ardhshëm.

Bulliqi u shpreh se kur ka marrë drejtimin e komunës, Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe, ndërsa tash janë nëntë, prej të cilave pesë janë funksionale dhe tri të tjera në proces.

 “Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë edhe me 13 çerdhe të reja. Do të bëjmë çerdhe aty ku ka fëmijë”, deklaroi ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Por ky premtim nxiti reagimin e kundërkandidatëve.

Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, e akuzoi Bulliqin se kur ka qenë drejtor i Arsimit për dy mandate nuk i ka kryer këto punë. Ndërsa ka thënë se punimet e tanishme po vonohen.

“Ti i ke lënë (pa çerdhe v.j.), ti ke qenë drejtor dy mandate. Për një vit e më tepër, u vonua ndërtimi i çerdhes në qytet. Këto kanë shërby vetëm për të prerë shirita dhe për të rritur numra. Çerdhet duhet t’i plotësojnë kushtet”, deklaroi Hyseni.

Edhe kandidati i PDK-së, Isak Shabani, vuri në dyshim cilësinë e punimeve dhe planifikimin urban.

“Disa prej çerdheve janë të adoptuara, pa kopsht e pa gjelbërim. Tri çerdhe në qytet duhej të ndërtoheshin. Pse nuk i ka ndërtuar sa ka qenë dy mandate?”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kandidati i Nismës Socialdemokrate, Xhemajl Hasani, u shpreh se projekti i Bulliqit është i tepruar dhe ai vetë do të fokusohej në një numër më të kufizuar.

“Unë i premtoj pesë çerdhe. Ka çerdhe që janë afër magjistrales, pa plan të mirëfilltë”, shtoi ai.

Kandidati i Nismës kritikon Bulliqin: Ndriçimi është vendosur selektivisht, asfalti është çarë për tri ditë

4 o. më parë / 30 sht 2025 20:26
Xhemajl Hasani

Kandidati i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani, ka kritikuar punët e realizuara nga qeverisja aktuale komunale, duke i cilësuar si të mangëta dhe të padrejta për qytetarët.

Ai ka tënë se ndriçimi publik është instaluar në mënyrë selektive, duke favorizuar disa lagje dhe duke lënë të tjera në errësirë.

Si shembull, Hasani përmendi rastin e fundit në Batllavë, ku sipas tij është bërë dallim për shkak të lidhjeve politike.

“Kanë bërë dallime veç pse e kanë një njeri të vet aty, ndërsa dy lagjet më të mëdha i kanë lënë pa ndriçim. Në lagjen time, jam pa ndriçim”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Duke folur edhe për infrastrukturën rrugore, kandidati i Nismës u shpreh se cilësia e asfaltit është e dobët.

“Është e vërtetë që është shtruar asfalt, por çfarë cilësie? Brenda tri dite është çarë asfalti. Nuk e di a kanë me dhënë përgjegjësi ato kompani. Me pas lind bahçe të babës, nuk i kisha duru”, ka deklaruar Hasani.

Hasani premtoi se, nëse merr besimin e qytetarëve, do të vendosë standarde të reja për cilësinë dhe barazinë në projektet komunale.

Hyseni ia numëron keqpërdorimet, Bulliqi i thotë se është praktikant

4 o. më parë / 30 sht 2025 20:14
Shpejtim Bulliqi & Ekrem Hyseni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka akuzuar kryetarin aktual Shpejtim Bulliqi për një sërë keqpërdorimesh gjatë katër vjetëve të qeverisjes gjatë debatit për këtë komuna në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka thënë se qytetarët janë përballur me një pushtet të mbyllur, ku “shoferi përcakton kush hyn në zyrën e kryetarit” dhe se projektet janë realizuar me shpenzime të dyshimta. Si shembull, Hyseni përmendi pishinën gjysmë-olimpike që sipas tij i ka kushtuar Podujevës dyfish më shumë se komunave të tjera, pa i plotësuar as standardet ndërkombëtare.

Po ashtu, ai foli për tenderë të dhënë ofertuesve më të shtrenjtë dhe për projekte rrugore të realizuara në mënyrë të pamundur për një ditë, duke ngritur dyshime për abuzim me fondet publike.

Ndërkaq, kryetari aktual dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i ka cilësuar këto akuza si “llafe të kota”. Ai ka thënë se gara zgjedhore nuk fitohet me akuza, por me punë, projekte dhe ide konkrete për qytetarët.

Bulliqi shtoi se Hyseni dhe kundërshtarët e tij janë “praktikantë që nuk marrin vesh nga pushteti lokal”, ndërsa Podujeva tashmë, sipas tij, po sheh rezultatet e punës së qeverisjes së tij.