Buja premton ndërtimin e lagjes së veteranëve në Lipjan
Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, njëherësh kandidat për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka premtuar ndërtimin e lagjes së veteranëve në Lipjan.
Buja ka thënë se ky projekt i ka mbetur peng nga mandati kur ka qenë kryetar e që nuk ka arritur ta realizojë.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Lipjanin”, ai ka shpalosur detajet e këtij projekti.
“Ndërtimi i lagjes së veteranëve të luftës, rikthimi në 8 hektarë, që përveç banimit ka edhe shkollën...Ndërtimi i kësaj lagje atëherë është menduar me koncesion ndërsa tani është me partneritet publiko privat, është fjala për zgjidhjen e vendbanimit për 450 veteranëve të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare”, ka thënë Buja.
Kandidati i PDK-së për Lipjanin ka paraparë realizimin e projektit për lumin Sitnica, që parashihet rregullimi i tij, rregullimi i shtigjeve për çiklizëm dhe ecje, krijimin e hapësirave të gjelbra dhe detaje të tjera.
Në debati, Buja ka folur edhe për mungesën e ujit të pijshëm në këtë komune, ku ka premtuar që të përfundojë shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha zonat e që sipas tij kapin vlerën e 5 milionë eurove.
Investimet në arsim dhe infrastrukturë po ashtu janë pjesë e programit që Buja e ka shpalosur në debatin në KTV.
“Lipjani zorrë qorre mes Prishtinës e Ferizajt”- Bytyqi për infrastrukturën në Lipjan
Kandidati për kryetar të Lipjanit nga partia “GUXO”, Ardian Bytyqi, ka akuzuar kryetarin aktual të Lipjanit, Imri Ahmetin, se nuk i ka përfunduar shumë premtime të dhëna në zgjedhjet 2021 duke përfshirë zgjidhjen e problemit ne ujë të pijshëm, vend parkingjet e çështje të tjera.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË-Debati për Lipjanin”, Bytyqi është ankuar edhe për investimet në infrastrukturë, pasi sipas tij i gjithë qyteti është betonizuar.
Sa i përket investimeve në këtë fushë, Bytyqi ka thënë se Lipjani ka mbetur si zorrë qorre mes Prishtinës e Ferizajt.
“Infrastruktura në Lipjan do të duhej të bëhej në dy ose tri faza. Së pari Lipjani duhet të shkarkohet nga grumbullimi i madh i makinave, në vend se një parking të ndërtohet në periferi të Lipjanit, janë koncentruar 211 makina në qendër të Lipjanit me një investim 6.3 milionë euro”, ka thënë Bytyqi
Sipas tij Lipjanit i duhet një vend stacion i çastit.
“Në planin tim kam paraparë që stacioni i Policisë të zhvendoset nga aty dhe të bëhet një stacion i qastit ku do të mund të shkarkoheshin të gjithë autobusët që vinë nga tri drejtimet: prej Magures, Sllovisë dhe drejtimi i Prishtinës”, deklaroi ai.
Kanidati i partisë GUXO, ka premtuar edhe reforma në arsim, duke paraparë ndërtimin e dy shkollave të reja të cilat do të shërbejnë për mësim tërëditor.
“Djali i tij është sekseri kryesor” – Qeriqi me akuza ndaj kryetarit Imri Ahmeti
Akuza në drejtim të kryetarit aktual të Lipjanit, Imri Ahmetit dhe djalit të tij, ka bërë kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Qeriqi.
Derisa ka folur për investimet në infrastrukturë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË-Debati për Lipjanin”, Qeriqi ka thënë se për të marrë leje ndërtimore në këtë komunë duhet të shkohet tek Imri Ahmeti dhe djali i tij.
“Djali i tij është sekseri kryesor”, ka thënë Qeriqi.
Kandidati i LVV-së ka thënë se në rast vjen në krye të kësaj komunë punët e tij të para do të jetë rregullimi i çështjeve të infrastrukturës.
“Qytetin duhet ta shpëtojmë nga ky urbanizëm i egër, nuk duam me shndërruar Lipjanin në Fushë-Kosovë 2.0, duam me largu bërllokun nga Lipjani që e ka mbushur Lipjanin, sipas “Institutit Atlas” ka dal që i ka 86 deponi, zyrtarisht i ka 62 fshatra e i ka 86 deponi që i bie që ka ma shumë deponi”, ka thënë Qeriqi.
Sipas tij kandidati i LDK-së, Imri Ahmeti, do të mbahet mend për bërllok dhe korrupsion.
Qeriqi është zotuar se do ta zgjedhë çështjen e ujit të pijshëm si dhe ka premtuar ndërtimin e 4 çerdheve të reja të cilat do të ndërtohen në mesin e disa fshatrave.
Budakova premton ndërtimin e një kampusi me pishinë gjysmëolimpike në Lipjan
Kandidati i AAK-së për komunën e Lipjanin, Bashkim Budakova, ka thënë se prioritet për të në rast se zgjidhet kryetar i kësaj komune do të jetë fusha e arsimit.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Lipjanin”, Budakova ka premtuar ndërtimin e çerdheve, shkollave, si dhe objekteve të tjera që do të ndikonin në përmirësimin cilësisë së arsimit.
“Për zgjidhjen e problemeve në arsim kemi paraparë ndërtimin e një kampusi në qytetin e Lipjanit, është shkollë moderne me standarde evropiane, i cili përmban kabinete, salla sportive, pishinë gjysmëolimpike. Ky kampus do të ndërtohet në lokacionin ku tani gjendet shkolla e mesme e ulët “Vëllëzërit Frashëri” dhe Tregu i Gjelbër”, ka thënë Budakova.
Përveç këtij kampusi, sa i përket arsimit kandidati i AAK-së ka premtuar paisjen e të gjitha shkollave me tabela digjitale, me pajisje për laborator si dhe salla të sportit.
Gjatë këtij debati, Budakova ka folur edhe për problemet me ujin e pijshëm dhe investimet infrastrukturore me të cilat sipas tij po përballet Lipjani.
Zgjedhjet lokale mbahen me 14 tetor.