Prognozat e panelistëve: Kush shkon në balotazh?

52 min. më parë / 19 sht 2025 22:41
Prognozat e panelistëve: Kush shkon në balotazh?

Në debatin e analistëve për javën e parë të fushatës për zgjedhjet elektorale, panelistët kanë dhënë prognoza se cilat komuna do të shkojnë në balotazh.

Sipas gazetarit Naim Sadiku, në balotazh do të shkojnë Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Suhareka e Drenasi. Ai ka prognozuar që në Ferizaj nuk do të ketë balotazh, ndërsa afër do të jetë edhe Peja.

Ndërkaq sipas njohësit të çështjeve lokale, Oktaj Hasani, në balotazh nuk do të shkojnë Vushtrria e Gjakova.

Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale duke mos përmendur se cilat komuna do të shkojnë në balotazh, sipas tij, me rundin e dytë të zgjedhjeve do të përballen më shumë se 70 për qind e komunave.

Rundi i parë i zgjedhjeve lokale mbahet më 12 tetor.

Hasani: Qytetarët e dëshpëruar, votat po i kërkojnë të njëjtit që s’po e bëjnë Kuvendin

2 o. më parë / 19 sht 2025 21:04
Oktaj Hasani

Oktaj Hasani, njohës i çështjeve lokale, e ka cilësuar të qetë javën e parë të fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit. Por ai ka vlerësuar se ka dozë dëshpërimi te qytetarët në këtë fushatë, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

“Ende s’kemi qeveri e kuvend për t’i shtyrë interesat e qytetarëve. Ka ndikuar te qytetarët. Qytetarët po ndihen të dëshpëruar me premtimet e partive. Niveli lartë po vjen të kërkojë votë për nivelin poshtë. Të gjithë kryetarët e partive po vijnë. Janë të njëjtit dhe ka dhënë impakt që për këtë periudhë jo pak, por janë shumë të dëshpëruar”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se gjuha deri tash ka qenë në suaza normale.

Megjithatë, sipas tij, kanë dominuar premtimet megalomane për investime kapitale, përderisa qytetari përballet me probleme të ujit dhe kanalizimit.

Ibrahimi: Disa kandidatë nuk i dinë përgjegjësitë lokale, kryetarët kanë përparësi

2 o. më parë / 19 sht 2025 20:53
Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave, ka thënë se kryetarët e komunave që po synojnë mandate të tjera në debatet e deritashme për zgjedhjet lokale kanë shfaqur njëfarë përparësie në raport me kandidatët që synojnë për herë të parë pushtetin lokal.

Ai e ka cilësuar të qetë javën e parë të fushatës lokale.

“Disa prej kryetarëve ndoshta për shkak se s’kanë qenë të angazhuar aq shumë në pushtetin lokal, edhe nuk i dinë përgjegjësitë... kryetarët apo drejtorët apo kuvendarët kanë njëfarë përparësie në raport me ata që kandidojnë për herë të parë sepse i dinë përgjegjësitë, kompetencat”, ka thënë ai.

Rrmoku: Dinamika e këtyre zgjedhjeve jo e lartë siç jemi mësuar

2 o. më parë / 19 sht 2025 20:42
Sadri Rrmoku

Të natyrshme acarimin e gjuhës në fushatën elektorale e ka cilësuar edhe Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Megjithatë, ai ka thënë se në këto zgjedhje dinamika nuk është e lartë siç ka qenë në të kaluarat.

“Në përgjithësi, në proceset e fundit zgjedhore, ka pasur proces të rregullt e të qetë të zgjedhjeve, pavarësisht gjuhës që s’ka munguar. Është e natyrshme që kur hyjmë në këtë fushatë, fillojmë pak a shumë me u acaru. Ka të bëjë edhe me proceset e mëhershme një pjesë, por edhe me çështjet elektorale... ka filluar ta ketë një rrjedhë normale. Jo dinamikë shumë të lartë apo çfarë jemi mësuar ta kemi, por te niveli i gjuhës mendoj se nuk duhet të lejohet të tejkalohet nga kjo formë që është aktualisht. S’duhet të pajtohemi me askënd që eskalon apo përdor gjuhë të nivelit të papranueshëm dhe cenon procesin demokratik”, ka thënë ai.

Sadiku: S’ka entuziazëm te qytetarët, ka arrogancë te disa kandidatë

2 o. më parë / 19 sht 2025 20:35
Gazetari Naim Sadiku

Gazetari Naim Sadiku ka thënë se gjuha aktuale mes kampeve politike në fushatën për zgjedhjet lokale nuk është jashtë praktikave të mëhershme. Megjithatë, sipas tij, këto zgjedhje po dallohen me mungesë të entuziazmit te qytetarët.

“Duke u nisur nga praktikat e mëhershme, gjithherë ka nxitur tensione mes kampeve të ndryshme. Edhe pse nuk mund të arsyetohen disa vijnë prej euforisë së madhe të militantëve... Deri në këto momente është në kornizë të gjuhës korrekte sipas vlerësimit tim. Sa më afër datës së zgjedhjeve do të ndodhin këto fërkime, por ajo që shoh është se nuk po shoh shumë entuziazëm te qytetarët, përjashtuar te militantët. Mbase për shkak të mospërmbushjes së shumë premtimeve. E po shoh shumë arrogancë te disa kandidatë”, ka thënë ai në KTV në analizën për javën e parë të fushatës.