Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së të enjten.

Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

“Kemi një parti politike, që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre ka edhe persona që në të vërtetë, në mënyrë subersive punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione në organet e ashtuquajtura paralele të Serbisë. Dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin ato në organet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi fillimisht, teksa ka marrë shembull kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, që është edhe kryetar i komunës paralele të Gjilanit në autoritetet e Serbisë.

Kurteshi ka thënë se Millosheviqi është “kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravë”. Ai ka thënë se këta persona kanë cak minimin e Republikës dhe shkatërrimin e sovranitetit të Kosovës.

Pas Kurteshit, ka reaguar anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani. Ai ka thënë se informatat e tilla duhet t’i ofrohen KQZ-së në mënyrë institucionale përmes organeve të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur të abstenojë në votim deri sa të ketë veprime konkrete nga institucionet e sigurisë.

“Sa herë vjen koha e zgjedhjeve kjo përsëritet. Këto informata kisha pas dëshirë që t’i pranoj në mënyrë institucionale e jo që t’i shohim tash. Por sidoqoftë si përfaqësues i PDK-së, abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe duke i marrë parasysh këta kandidatë, por edhe të gjitha ato diskutimet. S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.

Kurteshi u përgjigj duke thënë se anëtarët e Listës Serbe janë pjesë e institucioneve paralele me nënshkrim të autoriteteve të Serbisë dhe si të tilla këto dokumente nuk hyjnë në kuadër të hetimeve të institucioneve vendore.

Elshani më pas ka thënë se megjithatë Zyra për regjistrim të partive e ka rekomanduar certifikimin duke u bazuar në kriteret që i kanë vendosur vetë institucionet shtetërore.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më pas ka thënë se është për keqardhje që këto dokumente nuk janë ofruar nga institucionet e sigurisë dhe ato ligjore.

“E kemi zyrën e partive politike. Sekretariati që vjen me informacione dhe i lexon dhe thotë që kjo parti i plotëson kriteret formale në bazë të informacioneve relevante që merren me këto punë për t’u certifikuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve. Unë kam përshtypjen që ne nuk kemi hapësirë se si të veprojmë. As për as kundër, pos që ta refuzojmë votimin ose të abstenojmë”, ka thënë ai para votimit.

Ndërkaq Alban Krasniqi, anëtar tjetër i VV-së në KQZ, ka thënë se zyra për regjistrim partish i ka këto informata.

“Prej katër komunave janë së paku 24 persona me të kaluar kriminale, por edhe në kërkim e që janë të gjithë pothuajse pjesë e strukturave paralele që Serbia ende i mban gjallë në Kosovë përmes lidhjeve të saj. Këto janë informacione që jam shumë i bindur që zyra i posedon dhe shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë se a duhet lejuar ne si KQZ që nëse disa kandidatë që na vijnë, në këtë rast nga Lista Serbe, do të duhej t’i certifikonim nëse janë pjesë e strukturave paralele e disa edhe të organizatave që nga organet shtetërore janë shpallur terroriste”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se edhe shtetet e tjera kanë vënë vazhdimisht theksin se njerëz të Listës Serbe bëjnë presion te pjesëtarët e komunitetit serb në procesin e zgjedhjeve. Ai ka thënë se Lista Serbe vazhdimisht ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve.

Ndërkaq Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo duhet të shpallet organizatë terroriste nga organet e shtetit.

Vendim i ngjashëm ishte marrë në KQZ edhe në zgjedhjet e kaluara, por ishte përmbysur pas ankesës në instanca më të larta.

E gjatë ditës, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, në një takim me kryeministrin në detyrë shprehu pikërisht shqetësimin për moscertifikim të partive të komunitetit serb. Ajo u shpreh se është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.

Prattipati këtë kërkesë ua ka shtruar partive edhe në disa takime gjatë ditëve të fundit.

Ndërkohë KQZ-ja certifikoi partitë tjera më të mëdha në vend për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Në këtë mbledhje të KQZ-së u certifikua edhe Lidhja e Prishtinës pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Herën e parë ky subjekt nuk ishte certifikuar, me arsyetimin se emri i tij është i ngjashëm me identitetin dhe brendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. (Detajet)

Haxhiu: Moscertifikimi i Listës Serbe fitore e rëndësishme për demokracinë

42 min. më parë / 21 gus 2025 19:41
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përbën një fitore të rëndësishme për demokracinë. 

Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se Lista Serbe ka dëshmuar se është dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

“Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale përbën një fitore të rëndësishme për demokracinë, për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sigurinë qytetare e shtetërore. Lista Serbe, në mënyrë të përsëritur, ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës. Lista serbe ka dëshmuar që nuk synon përfaqësimin qytetar, por që është dorë e zgjatur e Vuçiqit. Sulmi terrorist në Banjskë i organizuar nga kryetari faktik i saj, kryekrimineli Milan Radoiçiq, është një nga aktet terroriste ndaj të cilave Republika e Kosovës vepron me vendosshmëri”, ka shkruar Haxhiu. 

Haxhiu ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe “është vendim i drejtë, legjitim dhe në përputhje të plotë me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe se është garant që zgjedhjet në Kosovë do të jenë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve, pa ndërhyrje të jashtme dhe pa presione nga struktura të kriminale”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe demokratik, ku pjesëmarrja politike është e mundur vetëm për subjektet që respektojnë ligjin, Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit”, tha Haxhiu. 
 

Cakolli: Teatër politik në KQZ, vendimi do të rrëzohet nga PZAP-ja

1 o. më parë / 21 gus 2025 18:51
cakolli

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe do të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e refuzoi certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pas kundërshtimeve nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që publikuan dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë. Pro certifikimit votuan dy anëtarë të KQZ-së, dy të VV-së ishin kundër, ndërsa shtatë nga partitë tjera abstenuan.

E sipas Cakollit, vendimi i KQZ-së, do të rrëzohet nga instanca më të larta. Ai ka thënë se KQZ-ja me këtë vendim ka tejkaluar kompetencat.

“KQZ-ja, edhe një herë tjetër, në ndjekje të diskurseve partiake, e ktheu administrimin e zgjedhjeve në teatër politik. Vendimi i sotëm për të mos certifikuar Listën Serbe nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, i cili do të rrëzohet nga PZAP-ja. Me këtë hap, KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushë që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë. Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit. Përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale. Edhe sikur një vendim i tillë të merrej, ai do të ishte i kontestueshëm”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se kthimi i KQZ-së në fushëbetejë politike i bën dëm Kosovës.

Bajrami – Vetëvendosjes: Hajnitë nuk jua mbulon patriotizmi i rremë

1 o. më parë / 21 gus 2025 18:45
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar patriotizëm të rremë qëndrimin dhe deklaratat e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në kundërshtim të certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike, NUK mund t'i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe. Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Sot po i luani patriotët - hipokrita!” ka shkruar Bajrami në Facebook.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.