Kandidatët e AAK-së për kryetarë komunash kanë bërë zotime për zhvillim, infrastrukturë dhe përkujdesje sociale. Në Rahovec, Smajl Latifi ka premtuar 1 milion euro investim në agroturizëm, për zhvillim rural dhe për punësim. Në Viti, Labinot Bislimi ka kritikuar qeverisjen aktuale për menaxhim të dobët të infrastrukturës. Në Prizren, Besnik Krasniqi ka bërë zotim për barna falas për pensionistët. E në Gjakovë, Ardian Gjini i ka kualifikuar prioritet zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen për bizneset lokale
Me zotimin për investim prej 1 milion eurosh në agroturizëm, kryetari aktual i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili e synon edhe një mandat, ka thënë të mërkurën se do ta zhvillojë potencialin e bujqësisë në këtë komunë.
Ai ka thënë se me këto investime do të gjenerojë përfitime afatgjata për qytetarët dhe për ekonominë vendore.
“Do t’i identifikojmë zonat me potencial pranë vreshtave tona dhe do të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme, do të mbështesim ndërmarrësit tanë me bashkëfinancim. Traditën tonë, zemërgjerësinë tonë, do ta kthejmë në pako agroturizmi për turistë. Kjo do të krijojë vende pune dhe të ardhura për familjet, duke e bërë Rahovecin një destinacion turistik”, ka theksuar Latifi.
E në Viti, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Labinot Bislimi, ka kritikuar qeverisjen aktuale për menaxhim të dobët me infrastrukturën.
“Jemi në rrugën përtej lumit Morava, pra përballë rrugës me kalldrëm – atë pjesën që e ka bërë me kalldrëm të famshmin e Sokol Halitit – dhe në këtë pjesë ai e ka kthyer në dykahëshe pa vendim komunal, në krye më vete. Kjo rrugë është bërë problem për të gjithë qytetarët, sepse është tejet e ngushtë dhe kur kalon një kamion i përmasave të mëdha është e pamundur që të mos e shkelë vijën e bardhë. Është e pamundur që aty një kamion dhe një autobus të kalojnë njëkohësisht. Kjo është mënyra se si Sokol Haliti vepron”, ka thënë Bislimi në një videospot të publikuar të mërkurën.
Në Prizren, kandidati për kryetar, Besnik Krasniqi, e ka përqendruar fushatën elektorale te pensionistët, për të cilët ka premtuar se do të ndërmarrë masa konkrete drejt përkujdesjes. Në kuadër të këtyre masave, ai e ka bërë zotimin për barna falas dhe për përfaqësim të pensionistëve në proceset vendimmarrëse.
“Pensionistët tanë janë gur themeli ynë! Ata sakrifikuan që ne sot të gëzojmë lirinë dhe jetën që kemi. Për këtë arsye do ta themelojmë Barnatoren e Pensionistëve – barnat esenciale falas, barnat tjera të subvencionuara me 50%. Pensionistët do ta kenë zërin e tyre në vendimmarrje, përfaqësuar në grupin e këshilltarëve të kryetarit. Do të themelojmë Shërbimin e Geriatrisë në kujdesin shëndetësor shtëpiak dhe do të inkuadrojmë ekspertizën e tyre si konsulentë. Pensionistët nuk do të jenë të harruar, por të nderuar e të përkujdesur siç e meritojnë”, ka theksuar tha Krasniqi.
E kandidati për kryetar të Pejës, Ali Berisha, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit e synon rikthimin në krye të komunës, e ka shprehur nevojën për rregullimin e qarkullimit urban dhe për modernizimin e infrastrukturës rrugore. E këtë premtim ai ka thënë se do ta jetësojë me anë të programit të përgatitur bashkë me një ekip profesionistësh.
“Ne jemi përgatitë për ta bërë këtë. Qe një vit jemi duke punuar me ekipe – jo unë, se nuk ka njerëz të gjithëdijshëm – por një grup njerëzish profesionalë, duke filluar prej arkitektëve, urbanistëve, mandej ekonomistëve e doktorëve. Ky program i përfshin të gjitha lëmitë. Për qytetin e Pejës e kemi të digjitalizuar programin, ku kemi për ta bërë rrethqarkullimin, kemi për ta rregulluar transitin dhe se ky rrethqarkullim ka për të përfshirë rrugë që do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve. Do të fillojë te fabrika e tullave dhe do të dalë rreth qarkullimit te gjimnazi sipër dhe te spitali, e pastaj në Rugovë”, është zotuar Berisha.
Në Gjakovë, Ardian Gjini, i cili është kryetar aktual komune dhe e synon edhe një mandat, ka folur për zhvillim ekonomik dhe për mbështetjen e sipërmarrësve lokalë. Ai është zotuar se do ta vazhdojë rritjen e kapaciteteve turistike, përderisa përfaqësuesit e bizneseve i ka siguruar se do të jenë prioriteti edhe në mandatin e ardhshëm.
“Sot zhvilluam një takim me pronarët dhe menaxherët e bizneseve të qytetit për të diskutuar programin tonë qeverisës dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të Gjakovës për katër vjetët e ardhshëm. Investimet e reja dhe mbështetja për bizneset do të jenë gjithmonë prioritet. Komuna do të ofrojë asete dhe mundësi për të lehtësuar rritjen dhe zhvillimin e bizneseve lokale, ndërsa rritja e kapaciteteve hoteliere dhe zhvillimi i turizmit tashmë po bëhet realitet. Gjakova mbetet një qytet miqësor dhe i hapur për çdo iniciativë që sjell punësim dhe zhvillim për qytetarët tanë”, ka theksuar Gjini.
Ndërkaq në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Nazim Gagica, ka thënë se me të kryetar qyteti do të ketë qeverisje efikase dhe zhvillim, ndërsa ka shtuar se qytetarët meritojnë shërbime më të mira dhe një qasje më transparente në vendimmarrje.
