Zgjedhjet lokale

Latifi kërkon mbështetjen e elektoratit të PDK-së dhe LDK-së në Rahovec

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për komunën e Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë thirrje për mbështetje në balotazh nga qytetarët që kanë votuar PDK-në e LDK-në.

“I respektoj të gjitha partitë. Gjithë angazhimi im dhe pozicioni që kam mbajtur prej kur jam kryetar ka qenë mbi parti. Menjëherë pas 12 tetorit, kur kuptova që do të jem në balotazh, kam kërkuar ndihmën e qytetarëve pa dallim, sepse vërtet u kam shërbyer qytetarëve pa dallim”, ka thënë Latifi në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai shtoi se ndihet i nderuar që ka mundësinë t’u kërkojë besimin edhe partive që nuk janë në këtë garë. Potencoi se në Rahovec zakonisht nuk ka koalicione, siç nuk ka as këtë herë.  

“Zakonisht në Rahovec nuk ndodhin koalicione për balotazh. Vazhdimisht kanë ndodhur ndryshime prej kur jam në pushtet, që tetë vjet. E kemi përvojën e duhur”, ka thënë Latifi.

Kundërkandidati i tij do të jetë Ali Dula i Lëvizjes Vetëvendosje.

Balotazhi do të mbahet më 9 nëntor.


“Nëse është ngrënë pitja, tepsia mbetet”, Latifi u përgjigjet akuzave për jotransparencë

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për komunën e Rahovecit, Smajl Latifi, ka mohuar akuzat për mungesë transparence në projekte komunale, duke thënë se të gjitha janë publike.

“I mirëkuptojmë shqetësimet dhe tensionet që krijohen në fushata. Nëse është ngrënë pitja, tepsia mbetet. Ka dokumentacion, ka argumente dhe ka përgjigje nga organet komunale”, ka thënë Latifi në “Zgjedhjet në KOHA”.

Ai theksoi se nëse ka parregullsi, organet kompetente janë të gatshme t’i trajtojnë.

“Por mund të them që asnjë kontratë deri më tani… janë të regjistruara, ato shihen… a ka pas konkurrent për një projekt apo nëse ka shmangie nga ligjet. Gara është e hapur, ligjet e përcaktojnë qartë kriteret për një tender”, shtoi ai.

Kundërkandidati i Latifit do të jetë Ali Dula i Lëvizjes Vetëvendosje.

Balotazhi do të mbahet më 9 nëntor.