Zgjedhjet lokale

Kurti për koalicionin në Dragash: PDK-ja është më heterogjene sesa mendohet

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur lidhur me koalicionin që partia e tij ka arritur me Partinë Demokratike të Kosovës për balotazhin në Komunën e Dragashit.

Më herët Kurti pati deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në. Por, këtë në Dragash e ka arsyetuar me interesimin “për ndryshim”.

“Përbrenda brenda PDK-së ka një heterogjenitet më të madh sesa mendohet. Kjo është shprehur në disa komuna, njëra është Dragashi dhe atje kemi bë një dakordim sepse jemi të interesuar për ndryshim. Nuk besoj që mund ta vënë shenjën e barazisë midis orientimit nacional që ka ajo parti dhe degëve të veçanta me kontekste të caktuara socio-politike atje në kushtet e një heterogjeniteti më të madh se asnjëherë më parë që ka pasë kjo parti”, ka thënë Kurti në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për të garuar bashkë në komunën e Dragashit në balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor. Këtyre dy partive u janë bashkuar edhe koalicioni VAKAT dhe kandidati i pavarur Nedzmidin Sejdilar.