Përbërja e re e kuvendeve komunale dhe kryetarët e zgjedhur më 12 tetor, duhet të presin certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, që të marrin mandatet. Njohësi i pushtetit lokal, Shkëlqim Jakupi, nuk pret probleme gjatë pranim-dorëzimit të detyrave as në veriun e banuar kryesisht me serbë
Certifikimin e rezultateve të kuvendeve komunale duhet ta presin kryetarët e zgjedhur, për të marrë mandatin e ri të qeverisjes në nivel lokal.
KQZ-ja, katër ditë më parë, ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë të 35 komunave, ndërsa ka shpallur rezultatet përfundimtare për 37 kuvendet komunale.
Që certifikimi i rezultateve të kuvendeve komunale të bëhet, e të fillojë rrjedhja e afateve procedurale, KQZ-ja duhet të presë epilogun e shqyrtimit të ankesave në lidhje me procesin.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Kuvendi i Komunës duhet të mbajë mbledhjen inauguruese brenda 15 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, kurse kryetari i zgjedhur të bëjë betimin brenda një muaji nga verdikti final i KQZ-së.
Nga 38 komunat e Kosovës, procesi zgjedhor ka përfunduar në 20 prej tyre, derisa në 18 të tjera të dielën do të zhvillohet rundi i dytë i votimit.
Në katër komunat e banuara me shumicë serbe, tranzicioni i pushtetit komunal do të bartet nga kryetarët shqiptarë tek ata serbë.
Njohësi i pushtetit lokal, Shkëlqim Jakupi, thotë se strukturat e reja komunale njoftohen nga niveli qendror me procedurat që duhet të ndiqen.
Jakupi nuk pret që në lidhje me inaugurimin e kuvendeve komunale e të betimit të kryetarëve të rinj, të ketë telashe në veri.
“Ne kemi pasur raste edhe në të kaluarën kur në komunat veriore ka pasur organe nga komuniteti serb që në një farë forme kanë hezitu me i përdor simbolet, stemat, kushtetutën, ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Megjithatë me përpjekjet e tyre, edhe monitorimin e drejtpërdrejt të tyre është arrit që të konstituohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës edhe organet në veri”, ka thënë Jakupi
Ai thotë se kryetarët e komunave mund të përballen me telashe, vetëm në rast se betimi i tyre bojkotohet nga anëtarët komunalë.
“Probleme e sfida mund të ketë në rastet kur anëtarët e kuvendeve të komunave refuzojnë të marrin pjesë në seancën apo në pikën e rendit të ditës kur kryetari jep betimin dhe me rastin e mungesës së kuorumit edhe kryetarit i pamundësohet dhënia e betimit”, ka thënë Jakupi.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, anëtari i Kuvendit Komunal e edhe kryetari humbin mandatin nëse nuk e nënshkruajnë betimin brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.