Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, me qëllimin kryesor garantimin e transmetimit në kohë dhe pa probleme të rezultateve preliminare, pas sfidave që shoqëruan procesin zgjedhor të mëparshëm në shkurt të këtij viti, ka deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Të hënën në emisionin “SOT” në KTV, Elezi ka thënë se që nga mesi i muajit qershor, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh që lidhen me organizimin e zgjedhjeve, ku shumica tashmë janë përmbyllur.
“Kemi përfunduar certifikimin e subjekteve politike dhe të kandidatëve. Janë mbi 200 kandidatë për kryetarë komunash dhe më shumë se 5,400 kandidatë për kuvendet komunale”, ka thënë ai.
Përveç përgatitjeve logjistike dhe teknike, Elezi tha se fokusi kryesor i këtij procesi ka qenë adresimi i sfidave të zgjedhjeve të kaluara, në veçanti çështjet që kanë të bëjnë me vonesa në transmetimin e rezultateve preliminare.
“KQZ-ja është përpjekur maksimalisht që gjatë kësaj kohe të përgatitjes të trajtojë edhe sfidat me të cilat është ballafaquar në procesin e kaluar zgjedhor, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me transmetimin e rezultateve preliminare dhe më pas edhe numërimin e votave në qendrat komunale të numërimit,” theksoi Elezi.
Numërimi i votave për kryetarët e komunave pritet të bëhet në vendvotime, ndërsa votat për kandidatët për kuvendet komunale do të numërohen në qendrat komunale të numërimit. Kjo pritet të përshpejtojë procesin dhe të mundësojë publikimin e rezultateve të para në mbrëmjen e 12 tetorit, menjëherë pas përfundimit të numërimit për garën e kryetarëve dhe votave për subjektet politike.
“Planifikojmë që në mbrëmjen e së dielës, pasi të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe pjesës së fletëvotimit për subjektet politike, të publikojmë rezultatet preliminare,” tha Elezi.
Ndërkohë, janë në proces edhe faza të tjera të rëndësishme si regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta dhe përgatitja për votimin me postë për qytetarët jashtë Kosovës, që nis më 17 shtator. Rreth 44 mijë votues kanë aplikuar për të votuar përmes kësaj mënyre.